“Histori në gur”, Saliuka shndërron oborrin e shtëpisë në galeri të hapur
Islam Haxhiu/RTK
Në kuadër të edicionit të tretë të manifestimit “Ditët e Shqiptarit”, skulptori Gëzim Saliuka ka hapur në Gjakovë ekspozitën “Histori në gur”, duke e shndërruar oborrin e shtëpisë së tij në një galeri të hapur arti. Ekspozita sjell një përzgjedhje të veprave të krijuara ndër vite dhe synon ta kthejë këtë hapësirë në një pikëtakim të përhershëm kulturor.
Në kuadër të këtij edicioni, në Gjakovë është hapur ekspozita “Histori në gur” e skulptorit Gëzim Saliuka, i cili tash e tri dekada jeton në Holandë.
Për kritikët e artit, “Histori në gur” nuk është vetëm një ekspozitë skulpture, por edhe akti i hapjes së një hapësire të re artistike në Gjakovë – një oborr që shndërrohet në skenë kulture, në vendtakim dhe në një atelie të gjallë të kujtesës.
“Një punë mbi 40-vjeçare mes Kosovës dhe Holandës. Gëzimi vjen edhe në oborrin e vet, i cili shndërrohet në një pikë kulturore, në një muze të hapur, në një galeri ku së shpejti shpresojmë që jo vetëm qytetarët e Gjakovës, por edhe një numër i madh të rinjsh, ta shohin skulptorin gjatë punës, duke gdhendur dhe duke trajtuar tema të ndryshme të estetikës së Gëzimit”, thaksoi Skënder Boshtrakaj, kurator arti.
“Edhe sot po e shoh se kjo shtëpi është shndërruar në një shtëpi të kulturës, duke marrë parasysh masën e madhe të punimeve, por jo vetëm kaq; edhe forcën, bukurinë dhe skalitjen në gur, në dru dhe në shumë materiale të tjera”, tha Gemb Xërxa, artist.
E Gëzim Saliuka, autor i ekspozitës, theksoi se njeriu duhet të ketë pak talent, por edhe dashuri e përkushtim për artin.
"Shumë njerëz kanë talent, por nuk punojnë. Unë jam munduar të punoj gjatë gjithë kohës, sepse relaksohem kur punoj. Shprehja jonë, e artistit dhe e skulptorit, është përmes skulpturës”, tha ai.
Ndryshe, “Histori në gur” paraqet një larmi qasjesh formale, ku shumë prej skulpturave ndërtohen mbi figurën njerëzore: kokat, bustet dhe trupat e deformuar në mënyrë poetike. Një pjesë e veprave paraqesin botën zoomorfe, mitike dhe simbolike, figura që pasqyrojnë mbetjet e një civilizimi të harruar.























