Shtëpitë që jetojnë brenda tyre: Refugjatët e luftërave të ish-Jugosllavisë
Bardha Shkreli/RTK/Radio
Refugjatët që u larguan nga lufta, gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë, në vitet1990 që erdhën dhe mbetën në Kosovë apo ata që u larguan nga Kosova e nuk u kthyen, tregojnë ndikimet afatgjata të zhvendosjes. Dekadat larg shtëpisë u kanë krijuar atyre sfida në lidhje me identitetin, traumën dhe integrimin.
Në lagjen përskaj kalasë së Zveçanit, në pjesën më të vjetër të qytetit, mbizotëron qetësi e plotë. Në një ndërtesë të re dëgjohen tingujt e një muzike të vjetër serbe. Brenda janë disa nga refugjatët më të vjetër të luftës që përcolli shpërbërjen e përgjakshme të ish Jugosllavisë.
Nga trokitja në derë pason një pritje e gjatë! Dikur dëgjohet zëri i 86 vjeçares, flokëbardhë e sy bojë qielli. Marija Millosheviq, e dobësuar,faqe zverdhur, tejet e lodhur e me zërin si të shuar. Është Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, por ajo nuk e di.
Dyzet vjet më parë Milloshevic ishte larguar nga Osjeku me valën e parë të refugjatëve kur nisi lufta në Kroaci. Tani ajo ngrys ditët e vetme në këtë strehimore për të zhvendosurit nga vende të ndryshme, që të gjithë të ikur nga lufta e dekadave më parë.
Marija nisi të rrëfente se burri dhe të dy motrat i kishin vdekur. Fëmijë nuk kishte pasur. Pastaj tregon se disa herë kishte menduar të kthehej në vendlindje, por nuk vendosi ta bënte kurrë.
"Nuk shkoj nga këtu. Kam kaluar kaq shumë vite këtu dhe tani paska ardhur koha të shkoj diku tjetër.Më mirë është këtu. Edhe nëse vijnë ndonjëherë vështirësi ose ndryshime të vogla, kjo nuk do të më shqetësojë". thotë ajo për Radio Kosovën.

Në pjesën tjetër të ndërtesës, koha ka ecur njëjtë për Jovanka Stanqeviqin 75 vjeçare. Në vitin 1991 u largua nga Knini i Kroacisë për t’i ikur luftës dhe u vendos në Mitrovicë.
Ajo tregon se vitet e saj të para ishin të mira dhe qytetarët shqiptarë e serbë e kishin pranuar si fqinje dhe filloi të punojë në një lokal të një pronari shqiptar.
“Të them të drejtën, më tepër kam pas ofendime nga serbët tanë, sesa nga njerëzit tjerë atje. Askush nuk më ka thënë se ti ke ardhur si refugjate”, tregon ajo.
Lufta në Kroaci kishte marrë fund, por për Jovankën, paqja nuk solli mundësi për kthim. Në vitin 1999 lufta në Kosovë u desh të zhvendosej sërish edhe pse nuk donte të kalonte në anën tjetër në veri. Pasi u vendos në fshatin Soçanicë, të Leposaviqit, ajo jetoi në kushte shumë të vështira dhe punoi punë krahu për të mbijetuar.
Një ditë nxirrte patate, ditën tjetër qepë, një ditë tjetër milte lopët.
Lotët i rrjedhin derisa tregon për shtëpinë që la atje por nuk u kthye kurrë.
"Këtu kamë qenë më e pranuar nga shqiptarët sesa nga njerëzit e mi atje. Vendosa të rri këtu, çka të ndodhë, le të ndodhë”, tregon Stanqeviq.

Borislav Jellaqa, nga Lika e Kroacisë, mban mend një ditë të nxehtë shtatori të vitit 1993 kur erdhi gjithashtu si refugjat në Kosovë. Ai punoi për disa vite në fabrikën e municionit në Skënderaj, pastaj edhe ndërmarrjen Trepça derisa Kosova u përfshi nga lufta.
Ai gjithashtu flet me mall për vendlindjen e rrethuar nga mali i Velebit dhe Lika Pljesevica, në kufij me Bosnjën.
“Vetëm e kalojmë Velebit, dhe ne jemi në det”, thotë Jellaqa.
Buza i dridhet kur flet për miqësitë e tij të dikurshme në vendlindje, me kroatë e shqiptarë. Kohët kur bënin, tifo për futbollin, për studimet në Rjekë dhe rrugëtimin e tij prej refugjati në Kosovë. Atij iu deshën gati katër dekada që Kosova të bëhej vërtetë shtëpi.
“Kam nënshtetësi të Kosovës por edhe nënshtetësi të Serbisë, as vet nuk e di se çka jam”, thotë ai.

Pas Kroacisë lufta u përhap në Bosnjë e Hercegovinë dhe Sakib Ademovic në vitin 1994 u bë një nga refugjatët në Kosovë.
Erdhëm këtu në vitin 1992 nga Han Pijesaku, në zonën e Srebrenicës. Erdhëm unë, nëna, babai dhe një vëlla. Këtu e kisha një motër të martuar, te e cila erdhëm për të jetuar. Nga Han Pijesaku na nxori me helikopter një shok i imi i shkollës, me të cilin kisha ndjekur mësimin. Kështu mbërritëm këtu.
Janë bërë më shumë se tri dekada që ai ngrys ditët i vetëm në një aneks të shtëpisë të së motrës në fshatin Korishë të Prizrenit.
Ai ende e ka statusin e refugjatit dhe një leje të përkohshme qëndrimi dhe thotë se ëndërron vazhdimisht për Gornje Vrsinjen pranë Vlasenicës, ku ka lindur, rrëfen ai.
Qindra kilometra përtej vendit të saj të lindjes, në një lagje të Podgoricës, Hatem Shutaj,gjithashtu bën jetën e refugjates. Ajo me fëmijët dhe shumë të tjerë u largua në vitin 1999 për në Mal të Zi pasi bashkëshorti i saj, Fadili, ishte zhdukur.
“Jeta si refugjate është e zorshme, këtu nuk kemi as dokumente as asgjë kur të duan na kthejnë. Vetëm një letër sa për të shkuar të mjeku e kemi,” thotë ajo.
Shtëpia u ishte djegur dhe familja nuk kishte më fotografi derisa një zyrtar komunal ja dha asaj foton nga libri amëz.
“U dal a din ajo si fletë e verdhë, me syretin e tij ku e ka pas letërnjoftimin. I thashë a kishe mujt me ma ba kopje këtë syret se fëmija e mijë nuk e njohin babën e vet.Ai itha me ditë që dalë prej punës se kam me ta dhanë. Ma bani kopje”, tregon Shutaj .
Ajo rriti fëmijët duke pritur të dinte për të shoqin që nuk u kthye kurrë.
“Kisha pas qejf me ditë bile ku ashtë, se fëmija e vet e lypin shpesh, bile me dit një varr me e pas,”thotë ajo.

Në shtëpi nuk u kthye më as Marin Kajdomqaj që në vitin 1999 u largua me qindra- mijëra shqiptarë nga Kosova.
I plagosur rëndë dhe i lënë në një qosh të rrugës, ai së bashku me familjen në mars të atij viti u largua për në Maqedoni. Nga kampi i refugjatëve në Maqedoni ai vazhdoi të punoi me refugjatë në shumë zona konfliktesh.
“Nuk kisha shumë shpresë për kthim, tani në punën që bëj me refugjatë nga e gjithë bota, hpesh u them: edhe unë kam qenë refugjat dhe e kuptoj dhimbjen tuaj“, thotë ai.
Duke folur nga Sana kryeqyteti i Jemenit, ku udhëheq Zyrën e Komisariatit të Lartë të OKB-së, për Refugjatë, në këtë vend të shkatërruar nga lufta, Kajdomqaj, thotë si e njeh mirë dramën e të larguarve.























