Kurti bën homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku
E.Hoti/RTKlive
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 26 Korrikut – Ditës Memoriale për Policët e Rënë në Detyrë, bëri homazhe dhe vendosi lule te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas njoftimit, pas homazheve në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, Kurti, i shoqëruar nga delegacioni qeveritar, vizitoi familjen Bunjaku për të shprehur nderimin dhe mbështetjen ndaj tyre.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ra heroikisht në krye të detyrës më 24 shtator 2023, gjatë përballjes me grupet paramilitare serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
"Lavdi Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë", thuhet nënjoftim.
























