Haddad: Kam ardhur për të diskutuar si të avancojmë anëtarësimin në KiE
BKT
Lajme

Haddad: Kam ardhur për të diskutuar si të avancojmë anëtarësimin në KiE

Medina Pasoma / RTKlive

Ministri francez për Evropë, Benjamin Haddad, ka thënë se prezenca e tij është dëshmi e besimit francez në Kosovë dhe premtoi se do të punojnë që Kosova të integrohet sa më shpejt në BE.

“Prezenca ime sot është dëshmi e besimit tonë te Kosova dhe e rëndësisë që kanë marrëdhëniet tona dypalëshe, si për mua personalisht, ashtu edhe për Presidentin Macron. Nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhënie dypalëshe; bëhet fjalë për Kosovën, për sigurinë e kontinentit tonë dhe të Evropës”, ka thënë ai, në konferencë për media me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve dhe një letre qëllimi.

Ai e cilësoi veten “mik personal të Kosovës” dhe tha se është i lumtur që viziton Kosovën si përfaqësues i Presidentit Emmanuel Macron.

Haddad ka thënë se në këto momente gjeopolitike, kur bota është e paqëndrueshme dhe përballet me të njëjtat kërcënime, duhet punuar së bashku për t’i kapërcyer sfidat e sigurisë.

“Kam ardhur gjithashtu për të diskutuar me Qeverinë e Kosovës se si të avancojmë procesin e anëtarësimit tuaj në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Këshillin e Evropës. Këtë çështje e kemi prekur me zëvendëskryeministrin dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta bërë realitet sa më shpejt", ka thënë ai. 

Ai potencoi se nënshkrimi i marrëveshjeve krijon një bazë të re për zhvillimin e agjendës së përbashkët dhe hap rrugën për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

“Me mua kanë ardhur shumë kompani franceze dhe përfaqësues të Agjencisë Franceze për Zhvillim, të cilët do të forcojnë investimet tona dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Mbështetja që Agjencia Franceze për Zhvillim ka ofruar përfshin 18 milionë euro për projektet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe energjinë, si dhe 16 milionë euro për kompleksin e studentëve, i cili do të përdoret si kamp gjatë Lojërave Mesdhetare”, nënvizoi ai.

Haddad përmendi rrugëtimin e përkrahjes së Francës ndër vite.

“Dr. Ibrahim Rugova u dekorua me një çmim, dhe rreth 30 vjet më parë, kur Kosova po përpiqej të gjente zgjidhje politike përmes organizimit të Konferencës së Rambujesë dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, që nga ajo kohë ne kemi qenë vazhdimisht në përpjekje për të gjetur zgjidhje. Ne mbështetëm Pakon e Ahtisaarit dhe ishim ndër shtetet e para që njohën Kosovën. Gjithashtu, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në promovimin e procesit të normalizimit, gjatë këtyre 22–23 viteve, pa u kthyer vazhdimisht te historia, mbështetja jonë ka qenë e pandërprerë dhe thelbësore. Ne e konsiderojmë veten miq të Kosovës prej një kohe shumë të gjatë”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme