Konjufca: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, Haga të mos marrë vendim politik
BKT
Lajme

Konjufca: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, Haga të mos marrë vendim politik

Sh.G|RTKlive

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë që të marrin një vendim të bazuar në drejtësi dhe jo në motive politike.

Ai këto komente i bëri gjatë konferencës me ministrin francez për Evropë, Benjamin Haddad. Konjufca tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se ajo ka pasur mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

“Bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos marr vendim politik, po të marr vendim të drejtë. E nëse vendimi është i drejtë, ne të gjithë e dimë çfarë është drejtësia. Ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Nëse do të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni në mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca, i pyetur se cili do të jetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës në rast se do të ketë një vendim dënues për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Konjufca tha se oficerët e UÇK-së kanë bashkëpunuar dhe janë trajnuar nga oficerët e NATO-s dhe këtë sipas tij, e kanë bërë sepse UÇK-ja ka kontribuar në ndaljen e gjenocidit të Millosheviqit. Prandaj, ka thënë Konjufca “si popull do të ishin shumë të revoltuar, shumë të revoltuar, nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”.

Gjykata Speciale do ta marrë vendimin në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator.


MË SHUME NGA Lajme