Haradinaj takon ministrin francez, për perspektivën evropiane të Kosovës
V.Th / RTKLive
Ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetë të kësaj partie, ka takuar Ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit.
Haradinaj tha se gjatë takimit kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Kosovës dhe kanë kërkuar vazhdimin e saj.
"Shprehëm mirënjohjen ndaj z. Haddad dhe shtetit Francës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe kërkuam që kjo mbështetje të vazhdojë, veçanërisht në kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO", ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, para ministrit francez, përfaqësuesit e AAK-së prezantuan ofertën e tyre për krijimin e institucioneve.
"Para ministrit, bashkë me kolegët e Aleancës, shpalosëm ofertën tonë për krijimin e institucioneve, duke theksuar se gjashtë pikat tona janë thelbësore për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit."
Haradinaj vlerësoi gjithashtu rolin e Francës në rrugëtimin e Kosovës.
"Franca ka qenë dhe mbetet një ndër miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me një rol të çmuar në të gjitha etapat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Për këtë, i jemi mirënjohës përherë", ka theksuar ai.























