Dogana sekuestron 2,550 fishekë në autostradën Trudë–Prishtinë
BKT
Lajme

Dogana sekuestron 2,550 fishekë në autostradën Trudë–Prishtinë

V.Th / RTKLive

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 2,550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një aksioni kundër kontrabandës në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë.

Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë ndaluan një automjet të dyshimtë për kontroll doganor, ku pas verifikimeve fillestare u ngritën dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara.

“Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar bunkerë (hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit), ku ishin të fshehura 2,550 copë fishekë të kalibrit 9 mm”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Pas përfundimit të procedurave, automjeti, municioni dhe personi i dyshuar i janë dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme, në përputhje me kompetencat ligjore.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme, në bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit, për të garantuar sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në vend.


MË SHUME NGA Lajme