Vazhdojnë zhvarrosjet në Zubin Potok, dyshime për varrezë masive
Medina Pasoma / RTKlive
Një operacion me zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore është duke u realizuar në Zubin Potok.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta
Ajo tha për RTKlive se veprimet po zhvillohen me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të një urdhri të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
"Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut", deklaroi Luta.
Në terren janë të angazhuara ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë siguri gjatë zhvillimit të ekzaminimeve.























