Gvardiol rinovon me Cityn: E dija se kjo ishte ajo që dëshiroja
F.B/RTKLive
Josko Gvardiol ka vazhduar besnikërinë ndaj Manchester Cityt, duke nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare që e mban atë në "Etihad Stadium" deri në vitin 2031.
Mbrojtësi kroat është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës angleze dhe një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Premier League, duke tërhequr edhe interesimin e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Real Madridin.
24-vjeçari, pati një periudhë të vështirë gjatë sezonit të kaluar pasi pësoi një frakturë serioze në kockën e këmbës së djathtë në ndeshjen ndaj Chelseat, e cila përfundoi 1:1 në janar të vitit 2026. Megjithatë, ai u rikthye në fund të sezonit dhe ishte pjesë e kombëtares së Kroacisë në Kupën e Botës.
Pas rinovimit të Abdukodir Khusanov, Manchester City ka siguruar edhe një tjetër nga lojtarët kryesorë të së ardhmes, duke vazhduar strategjinë për të mbajtur bërthamën e skuadrës.
Gvardiol ka bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë dilemë për të firmosur marrëveshjen e re.
“Që në momentin kur kuptova se City dëshironte të rinovonte kontratën time, e ndjeva menjëherë se kjo ishte ajo që doja. Tifozët e Cityt kanë qenë të jashtëzakonshëm me mua që nga dita e parë dhe klubi ofron gjithçka për lojtarët. Është klubi më i mirë ku mund të jesh”, ka deklaruar kroati.
Ai ka shtuar se ndihet shumë i vlerësuar gjatë periudhës së tij në Manchester dhe beson se skuadra ka potencial për të arritur suksese të mëdha në vitet e ardhshme.
“Lojtarët që kemi këtu janë fantastikë. Kemi një skuadër të nivelit botëror, të re dhe me shumë potencial. Besoj se do të kemi shumë suksese në vitet që vijnë”, u shpreh Gvardiol.
Edhe drejtori sportiv i Manchester Cityt, Hugo Viana, ka vlerësuar rëndësinë e rinovimit të mbrojtësit kroat.
“Josko është tashmë një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Klubi është i përkushtuar për të mbajtur talentet më të mira dhe jemi shumë të lumtur që kemi arritur këtë marrëveshje”, ka thënë Viana.
Gvardiol tashmë po përgatitet për një epokë të re te Manchester City, pas largimit të Pep Guardiolës nga posti i trajnerit, ndërsa skuadra do të drejtohet nga Enzo Maresca në sezonin e ardhshëm.























