Tri palë zgjedhjesh brenda një viti e gjysmë, ngërçi politik vazhdon më tej
BKT
Në Fokus

Tri palë zgjedhjesh brenda një viti e gjysmë, ngërçi politik vazhdon më tej

Arbresha Berisha /RTK

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ftuar për të premten mbledhje me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të bërë përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së re, e cila është thirrur për datën 6 gusht. Ndërkohë, zvarritja e krijimit të institucioneve të reja po përsërit një situatë të njohur politike në Kosovë, pas tri palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme parlamentare.

Pavarësisht kontakteve dhe kërkesave të partive politike, marrëveshja ende nuk është arritur. Pavarësisht asaj se Vetëvendosje i ka votat për qeverinë, kushtet e ngurta të partive opozitare për postin e kreut të shtetit, po zvarrisin hapin drejt arritjes së një marrëveshjeje, për ta bërë një hap drejt konsolidimit të institucioneve të shtetit. Njohës të fushës bëjnë thirrje për dialog, për t'i shmangur krizat me pasoja politike dhe ekonomike për vendin.

Ndërkohë që partitë vazhdojnë t'i mbrojnë pozicionet e tyre, bllokimi aktual po e kthen procesin shtetëror në një rreth të mbyllur.

Zvarritja e formimit të institucioneve të reja po shndërrohet në një skenar të përsëritur në Kosovë. Brenda më pak se një viti e gjysmë vendi shkoi 3 herë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kalkulimet politike po bëhen por formimi i institucioneve të reja mbetet edhe më tej pa epilog politik. Pavarësisht asaj se pozicionet e partive duken të ngurta, analistët politikë vlerësojnë se zgjidhja ekziston. Sipas tyre, hapësira për ta arritur një marrëveshje mbetet e hapur, por gjithçka varet nga gatishmëria dhe vullneti i subjekteve për t'i tejkaluar interesat partiake.

"Ka hapësirë të gjindet një emër konsensual edhe me LDK edhe me partitë tjera. Këto biseda duhet të zhvillohen në një ambient të hapur, duhet të hulumtohen emrat që e kanë besimin e dy ose ma shumë partive politike", tha Ardian Zeqiri, njohës i politikës.

"Jemi në një situatë kur do të duhej të kishte takime intensive pasi është caktuar data e seancës konstituive dhe nuk duhet të mbetet në momentet e fundit", pohoi Mazllum Baraliu, njohës i politikës.

Nga këndvështrimi analitik, bllokimi institucional prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarit, përms ngecjeve ekonomike dhe pezullimit të investimeve kryesore në vend.

"Çmimi është në stagnim në ekonomi, institucional dhe stagnim të përgjithshëm shoqëror. Nuk janë zhvillime të mira është është moment jo i mirë për të ardhmen e politikës", theksoi Zeqiri.

Por cilat kanë qenë kërkesat e partive përballë Vetëvendosjes?

Partia Demokratike ka kërkuar pozitën e presidentit si dhe zbatimin e prioriteteve programore.. Megjithatë, PDK po insiston të qëndrojë në opozitë.

Lidhja Demokratike ka kushtëzuar bashkëpunimin me një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse, program të përbashkët qeverisës si dhe pajtim paraprak për procese të rëndësishme politike. Mirëpo, për shkak të përçarjeve të brendshme, LDK-ja ka pezulluar diskutimet me Vetëvendosje, pavarësisht se sipas Vetëvendosjes LDK ishte treguar më e hapur për bashkëpunim.

Ndërsa, AAK ka vënë 6 kushte të cilat lidhen me gazin amerikan, lehtësimet për biznese, mbështetje për bujqësinë, buxhet për projekte infrastrukturore dhe fond emergjent për kryeqytetin.

E Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e qershorit, i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, por jo edhe numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ndërkohë që subjektet politike mbesin në pozicionet e tyre, të paktën publikisht, vendi mbetet në pritje për institucionet e reja. Mungesa e institucioneve po sjell pasoja në zhvillimin ekonomik, proceset politike dhe mund të rrezikojë edhe përfitimet financiare nga Bashkimi Evropian.


MË SHUME NGA Në Fokus