Nis Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë
BKT
Kulturë

Nis Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë

K. K. / RTKlive

Ka nisur punimet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë.

Seminari i këtij viti zhvillohet me temën “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar” dhe do të zgjasë deri më 31 korrik. Në këtë aktivitet marrin pjesë mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga diaspora, të cilët do të shkëmbejnë përvoja, praktika të mira dhe qasje të reja në procesin e mësimdhënies.

Sipas njoftimit, në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Orjana Osmani, mësimdhënës nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Çeku theksoi se mërgata është pjesë e pandashme e Kosovës dhe një urë e rëndësishme lidhëse me botën. Ai bëri të ditur se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, përmes hartimit të teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, zgjerimit të ekskursioneve për fëmijët e mërgatës dhe zhvillimit të platformave digjitale.

Sipas tij, aktualisht rreth 800 mësues dhe 23 mijë nxënës mësojnë gjuhën shqipe jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, vlerësoi rolin e rëndësishëm të mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo u shpreh se gjuha shqipe mbetet e gjallë përmes njerëzve që ua përcjellin atë brezave të rinj, duke theksuar rëndësinë e forcimit të politikave arsimore dhe krijimit të Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe.

Një fjalë përshëndetëse në hapje të seminarit mbajti edhe mësuesja nga Italia, Dila Rrapi, e cila prej 10 vitesh kontribuon si mësuese vullnetare në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Gjatë ditëve të seminarit do të zhvillohen punëtori, ligjërata dhe diskutime tematike mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies, motivimin e nxënësve për të mësuar gjuhën shqipe, si dhe sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë.

 


MË SHUME NGA Kulturë