Blakaj: Mbetjet në Zubin Potok mund t’u përkasin 23 të zhdukurve më ’99
BKT
Lajme

Blakaj: Mbetjet në Zubin Potok mund t’u përkasin 23 të zhdukurve më ’99

N.M. /RTKlive

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka reaguar pas gjetjes së mbetjeve mortore në Zubin Potok, duke theksuar se ato mund të jenë të 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur gjatë luftës në vitin 1999.

Përmes një postimi në Facebook, Blakaj ka rikujtuar se më 4 gusht 2016, si prokuror i Prokurorisë Speciale, së bashku me një ekip nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), hetues të krimeve të luftës dhe përfaqësues institucionalë, kishin kryer gërmime në fshatin Mala Jabuka në Zveçan, pikërisht në kërkim të këtyre viktimave.

Ai theksoi se pas përpjekjeve shumëvjeçare, më 28 korrik 2026, gjatë gërmimeve në Zubin Potok janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund t’u përkasin këtyre 23 intelektualëve.

Blakaj ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave për krimet e luftës, duke shtuar se vetëm përmes proceseve gjyqësore mund të vërtetohet dhe dokumentohet qëllimi i aparatit shtetëror serb për zhdukjen e popullatës civile shqiptare.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve ligjzbatuese, në mënyrë që rastet e krimeve të luftës të përfundojnë me aktgjykime dënuese dhe të kundërshtohet propaganda që, sipas tij, ka synuar fshehjen e këtyre krimeve.

 


MË SHUME NGA Lajme