PriDox 2026 hap festivalin e dokumentarit
Sh.G|RTKlive
Ka nisur edicioni i ri i festivalit të filmit dokumentar PriDox 2026, i cili edhe këtë vit sjell në Prishtinë dokumentarë me histori të veçanta dhe tema që nxisin reflektim përmes artit kinematografik.
Mbrëmja hapëse u shënua me shfaqjen e dy filmave dokumentarë. Publiku pati mundësi të ndjekë "We Play With All Our Heart", me regji të Alvin Çyços, i cili trajton historinë e rock-ut shqiptar, si dhe "Golgotha", me regji të Enis Muratit, që sjell dëshminë e piktorit Isa Alimusaj për shkatërrimin e veprave të tij artistike gjatë luftës në Kosovë.
Si festival i dedikuar filmit dokumentar, PriDox i paraprin edicionit të radhës të PriFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, duke kontribuar në pasurimin e skenës filmike vendore me autorë, krijimtari dhe rrëfime të reja.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, e cila përgëzoi organizatorin Fatos Berisha dhe ekipin e festivalit për angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e filmit dokumentar dhe zhvillimin e jetës kulturore në vend.
Festivali PriDox pritet të vazhdojë me një program të pasur të filmave dokumentarë dhe aktiviteteve të tjera, duke mbledhur në Prishtinë kineastë, artistë dhe dashamirës të filmit.























