LDK dënon presionin ndaj delegatëve, kërkon hetim nga Prokuroria
BKT
Lajme

LDK dënon presionin ndaj delegatëve, kërkon hetim nga Prokuroria

B.H./RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj pamjeve të publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim presioni nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës ndaj një delegati të Kuvendit të LDK-së, përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij.

Në reagimin e saj, LDK e ka cilësuar të papranueshme çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve, duke theksuar se veprime të tilla bien ndesh me vlerat, parimet dhe Statutin e partisë, si dhe me ligjin.

“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush, e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagim.

Partia ka bërë të ditur se organet kompetente të saj do të iniciojnë menjëherë procedura statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve të LDK-së që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pavarësisht funksionit apo pozitës që mbajnë.

Njëkohësisht, LDK u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë, që të zhvillojnë hetimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore nëse konstatohet se janë konsumuar elemente të veprave penale.

Në fund të reagimit, LDK thekson se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve demokratike dhe dinjitetin e anëtarëve të saj, duke nënvizuar se “demokracia nuk mbrohet me presion, por me votë të lirë”.

LDK nesër do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, në të cilin delegatët do të vendosin për shkarkimin ose jo të kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.


MË SHUME NGA Lajme