Aksidenti fatal në kantier, IQP paralajmëron masa nëse ka shkelje ligjore
N. Mekolli /RTKlive
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka reaguar lidhur me aksidentin e ndodhur një ditë më parë në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Përmes një reagimi zyrtar, IQP ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarin, duke bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet të lartë.
Sipas njoftimit, Inspektorati është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
IQP ka sqaruar se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, në raport me punëmarrësit dhe operatorët në kantier, është kompetencë e këtij institucioni. Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve jashtë kantierit, përgjegjësia bie mbi inspektoratet komunale të ndërtimit, bazuar në Ligjin për Ndërtim.
Po ashtu, është theksuar se Inspektorati Qendror i Punës nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar kushtet e lëshimit të lejeve ndërtimore, pasi kjo i takon autoriteteve përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Institucioni ka bërë të ditur se është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare lidhur me shkakun e aksidentit, duke theksuar se nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme. Nëse konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, IQP ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda kompetencave të tij.
Në reagim, IQP ka nënvizuar gjithashtu nevojën për forcimin e koordinimit institucional ndërmjet autoriteteve që lëshojnë leje ndërtimore dhe institucioneve mbikëqyrëse, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Sipas tyre, aktualisht nuk ekziston një mekanizëm i rregullt i njoftimit nga komunat për fillimin e punimeve ndërtimore, çka e vështirëson planifikimin e mbikëqyrjes inspektuese. Për këtë arsye, Inspektorati ka paralajmëruar se do të iniciojë diskutime për krijimin e një sistemi të koordinuar të shkëmbimit të informacionit dhe identifikimit të hershëm të kantiereve të reja.























