Haxhiu priti në takim përfaqësuesit e Orkestrës së Fëmijëve dhe të Rinjve
V.Th / RTKLive
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, priti sot në një takim të veçantë përfaqësuesit e Orkestrës së Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”, me të cilët bisedoi për sukseset e jashtëzakonshme që kjo orkestër ka shënuar gjatë këtij viti në arenën ndërkombëtare.
Kryetarja Haxhiu vlerësoi se ky y ishte një vit për t'u mbajtur në mend për sukseset e jashtëzakonshme të kësaj orkestre, pasi u shpërblyen me katër çmime prestigjioze në festivalin ndërkombëtar "Musica Orbis" në Pragë të Çekisë, si dhe u kurorëzuan me çmimin kryesor “Grand Prix” dhe vendin e parë në Festivalin Ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026 në Spanjë, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe nivelin e lartë artistik të të rinjve tanë.
“Ky sukses i jashtëzakonshëm, që lartëson emrin e Kosovës në skenat botërore, është arritur falë punës së palodhshme të dirigjentit Vehbi Shosholli, drejtoreshës Hana Petrovci, stafit të shkollës ‘Amadeus’ dhe, mbi të gjitha, të fëmijëve e të rinjve që me përkushtim përfaqësojnë denjësisht Kosovën përmes artit”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Në fund, Haxhiu i përgëzoi për këto arritje të merituara dhe u uroi edhe më shumë suksese në skenat ndërkombëtare.
























