Kurti priti studiuesin Ardian Jusufi, diskutuan për zhvillimin e robotikës
E.Hoti/RTKlive
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim studiuesin dhe profesorin ndërkombëtar me bazë në Universitetin e Cyrihut, Dr. Ardian Jusufi.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti e uroi Jusufin për sukseset e tij në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës së frymëzuar nga biologjia, duke e falënderuar edhe për përfaqësimin që i bën mërgatës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë që ofron sektori i robotikës në Evropë, si dhe për mënyrat konkrete të avancimit të kësaj fushe në Kosovë.
"Kryeministri Kurti theksoi se e mirëpret bashkëpunimin me Dr. Jusufin, i cili përfaqëson një shtyllë të rëndësishme në rritjen e Kosovës në të ardhmen, si një pjesëtar i mërgatës i cili ka arritur suksese jashtë dhe është i përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e vendit tonë”, thuhet në njoftim .
Tutje theksohet se, Jusufi së fundmi është përzgjedhur në listën e ngushtë të nominimeve të Falling Walls Foundation për zbulim shkencor. Ai ka doktoruar në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ndërsa studimet postdoktorale i ka përfunduar në Universitetin e Kembrixhit dhe në Universitetin e Harvardit.























