Reçaku, Gjykata: Janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë
BKT
Lajme

Reçaku, Gjykata: Janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë

Donika Sherifi/RTK

Një sallë gjyqi e mbushur me dëshmi, por me karrige të zbrazëta në bankën e të akuzuarve. Njëzet e shtatë vjet pas njërës prej masakrave më makabre në historinë moderne të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë nisi gjykimin në mungesë ndaj 21 pjesëtarëve të forcave serbe. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve në Reçak, krim që alarmoi botën demokratike dhe ndryshoi përgjithmonë fatin e vendit.

Mbi dy dekada pas ngjarjes që tronditi botën dhe ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, drejtësia ka nisur lëvizjen e saj të parë zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë mbajti seancën e parë të gjykimit në mungesë ndaj 21 pjesëtarëve të forcave serbe, të akuzuar për vrasjen e civilëve në Masakrën e Reçakut. Vonesa e madhe në nisjen e këtij gjykimi lidhet drejtpërdrejt me mungesën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar nga ana e Serbisë.

Pavarësisht kësaj bllokade dhe vonesave të gjata procedurale, seanca fillestare tashmë ka shënuar një hap historik. Nga vetë fakti se është vërtetuar se të akuzuarit janë fshehur qëllimisht në Serbi, gjykimi në mungesë do të vazhdojë me fazën e dytë, ku pritet të shqyrtohen provat materiale dhe dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës së 15 janarit 1999.

“Komuna e Shtërpcës, Komuna e Kamenicës, Komuna e Ferizajt kanë kthyer përgjigje me arsyen se për të pandehurit, si në kërkesë, nuk kemi informacione për vendndodhjen e tyre”, tha Violeta Namani-Hajra, gjyqtare.

Akuzat ndaj 21 të pandehurve përshkruajnë krimet e kryera në Reçak, ku vrasja e 42 civilëve shqiptarë shërbeu si pikë kthese që zgjoi ndërgjegjen e faktorit ndërkombëtar përballë mizorive të forcave serbe në Kosovë. Kjo ngjarje ndryshoi përgjithmonë rrjedhën diplomatike dhe ushtarake të luftës.

“Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht granatuan nga distanca prej vendeve të njohura si ‘Pishat’, ‘Gështenjat’, ‘Çesta’ dhe ‘Guri i Shpum’, pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi”, tha Ilir Morina, prokuror special.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një afat ligjor prej 30 ditësh për avokatët mbrojtës të të akuzuarve në mungesë për të paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj provave dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Ky hap shënon përfundimin e seancës fillestare dhe i hap rrugë shqyrtimit të mëtejshëm gjyqësor për Masakrën e Reçakut.


MË SHUME NGA Lajme