Konjufca kërkon lehtësim të qarkullimit në kufijtë e Kroacisë
BKT
Lajme

Konjufca kërkon lehtësim të qarkullimit në kufijtë e Kroacisë

V.Th / RTKLive

Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë komunikimin me autoritetet kroate për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës dhe bashkatdhetarëve nga diaspora, të cilët po përballen me pritje të gjata në pikat kufitare të Kroacisë.

Kështu ka bërë të ministri në detyrë i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas një bisede telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliç Radman.

Konjufca tha se gjatë bisedës ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që pritjet e gjata po u shkaktojnë qytetarëve në kulmin e sezonit veror.

“Ministri Grlić Radman më njoftoi se do ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente kroate, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e kohës së pritjes”, ka bërë të ditur Konjufca.

Sipas tij, fluksi i lartë i udhëtarëve po përkon edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe kontrolle më të rrepta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, pas krizës kufitare të ditëve të fundit në Spanjë.

Këto masa, sipas Konjufcës, kanë ndikuar në zgjatjen e procedurave të kontrollit në pikat kufitare.

Kryetari i Kuvendit e falënderoi ministrin kroat për mirëkuptimin dhe gatishmërinë për trajtimin e kësaj çështjeje, duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe miqësor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.


MË SHUME NGA Lajme