Serbia po synon të zhvendosë fokusin te `presioni ndaj serbëve`
Edona Podvorica / RTK
Derisa vëmendja në Kosovë këto ditë është përqendruar te gërmimet në Zubin Potok dhe te varreza tjetër masive në Jabukë, vetëm rreth 10 kilometra larg Kalludrës, institucionet kosovare po kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe drejtësi për krimet e luftës.
Por në Serbi, fokusi zyrtar dhe mediatik është zhvendosur kryesisht tek arrestimet e të dyshuarve serbë dhe pretendimet për presion politik ndaj tyre.
Gazetarja e “The Geopost”, Ilirie Pireva, thotë se mënyra se si po raportojnë shumica e medieve serbe është në përputhje me narrativën që vjen nga Beogradi zyrtar.
“Shprehjet kanë qenë që krimi ka qenë i pretenduar, e kanë quajtur si terror të Kurtit dhe frikësim të serbëve, duke paraqitur pra gjithë ngjarjen si përndjekje politike dhe etnike të serbëve. Deklarimet e presidentit Vuçiç, Brnabić e më pas edhe të tjerëve si Daçiç e dhe Vulin, janë mundohen me krijuar një narrativë të koordinuar që me ndikuar opinionin publik, edhe më pas me e forcuar këtë pretendim territorial”, ka thënë për RTK, Iliri Pireva nga “The Geopost”.
Gjatë një vizite në Republikën Srpska, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se serbët në Kosovë, sipas tij, edhe sot përballen me “terror të tmerrshëm”.
Vuçiq pretendoi se në Kosovë çdo ditë “shpiket diçka kundër serbëve” dhe se heshtet për siç tha ai, vuajtjet e të krishterëve ortodoksë.
Ai shtoi se “terrori ndaj popullit serb në Kosovë nuk do të zgjasë përgjithmonë”.
Këto deklarata janë kritikuar nga avokati dhe aktivisti serb Çedomir Stojkoviq, i cili akuzon Vuçiqin se përmes një gjuhe të tillë po nxit tensione dhe po dërgon mesazhe të ndryshme për publikun vendor dhe atë ndërkombëtar.
“Nëse presidenti i Serbisë u shpjegon qytetarëve të Serbisë se Kosova po ushtron terror ndaj serbëve, atëherë kjo në fakt është një thirrje për konflikt. Në të njëjtën mënyrë, Putini u shpjegonte rusëve se ukrainasit po ushtronin terror ndaj rusëve në Ukrainë. Dhe të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më pas dhe ku çuan pretendime të tilla. Vuçiq para zyrtarëve perëndimorë flet për paqe dhe stabilitet, por sapo shkon në ndonjë fshat dhe ndizet kamera, ai nxit hapur qytetarët e Serbisë drejt armiqësisë ndaj Kosovës”, ka thënë Çedomir Stojkoviq, avokat në Serbi.
Në qendër të kritikave është vendosur edhe deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili sulmoi serbët që ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive ku dyshohet se janë varrosur shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Serbinë se vazhdon të pengojë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Sipas tij, Serbia refuzon të japë informacione për të zhdukurit, ndërsa kërcënon qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e varreve.
Edhe ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, e dënoi gjuhën e Daçiqit, duke e cilësuar si nxitëse të urrejtjes dhe justifikuese të krimeve të luftës.
Në një reagim në platformën ‘X’, Vlahoviq e quajti deklaratën e ministrit serb ‘të neveritshme’ Dhe pyeti nëse ekziston ndonjë politikan serb apo malazez që do ta dënojë publikisht këtë gjuhë.























