Reagime për Konsullatën e Serbisë në Shkodër
BKT
Lajme

Reagime për Konsullatën e Serbisë në Shkodër

Kaltrina Rexhepi/RTK

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për hapjen e një zyre konsullore serbe në Shkodër ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, Gjuriq tha se palët kishin arritur marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, ka thënë Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Ideja për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër është kundërshtuar nga figura politike dhe ekspertë. Në qytet u zhvillua edhe një protestë kundër kësaj nisme.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se një vendim i tillë nuk pasqyron realitetin historik dhe diplomatik, ndërsa sipas tij, krijon një barazim të padrejtë mes pakicës serbe në Shqipëri dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë”, ka shkruar Ditmir Bushati, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë.

Ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Ilda Zhulali, e konsideron të pajustifikuar hapjen e një konsullate serbe në Shkodër. Sipas saj, një vendim i tillë nuk mbështetet në kriteret e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, raporton RTK.

Debati është shoqëruar edhe me krahasime mbi situatën e pakicave. Ndërkohë, çështja e hapjes së zyrës konsullore serbe në Shkodër mbetet pjesë e një debati të gjerë politik dhe diplomatik.


MË SHUME NGA Lajme