Spalletti i lumtur me afrimet te Juve: Muani është burim krenarie për ne
BKT
Sport

Spalletti i lumtur me afrimet te Juve: Muani është burim krenarie për ne

F.B/RTKLive

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka shprehur kënaqësinë e tij për përforcimet e reja të skuadrës, duke theksuar se ardhja e futbollistëve të rinj sjell energji dhe cilësi shtesë në ekip.

Në konferencën për media, në prag të ndeshjes miqësore ndaj Chelseat në Hong Kong, tekniku italian vlerësoi punën e klubit në merkato dhe theksoi se tani sfida kryesore do të jetë integrimi i lojtarëve të rinj.

"Ardhja e lojtarëve me entuziazëm të ri është gjithmonë një vlerë e shtuar për ekipin. I njihnim prej kohësh, sepse i kishim ndjekur më parë. Dy futbollistë të tjerë ishin bashkuar më herët dhe në letër jemi bërë një skuadër më e fortë. Tani puna e vërtetë është t'i integrojmë dhe të gjejmë ekuilibrin e duhur në ekip", deklaroi Spalletti.

Ai shtoi se është shumë i kënaqur me mënyrën se si klubi ka vepruar në afatin kalimtar, duke siguruar futbollistë me potencial dhe cilësi të lartë.

Trajneri bardhezi ndaloi veçanërisht te Randal Kolo Muani, për të cilin tha se është një përforcim me vlera të mëdha, jo vetëm si futbollist, por edhe si person.

"Në dhomën e zhveshjes të gjithë kemi folur për Kolo Muanin si një djalë të jashtëzakonshëm, sidomos për karakterin dhe marrëdhëniet që krijon me të tjerët. Cilësitë e tij si lojtar janë të njohura, pasi kishte zgjuar interesimin e klubeve të mëdha si Paris Saint-Germain dhe Tottenham. Afrimi i tij te Juventusi është një burim krenarie për ne", u shpreh Spalletti.

Juventusi do të përballet me Chelsean në një ndeshje miqësore në Hong Kong, ku Spalletti pritet t'u japë minuta edhe afrimeve të reja, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.