Ekspertët e komunikacionit: Masa më të forta parandaluese për aksidente
BKT
Lajme

Ekspertët e komunikacionit: Masa më të forta parandaluese për aksidente

Fatos Cerrvadiku / RTK

Aksidentet në trafik vazhdojnë të mbeten një ndër shqetësimet kryesore në vend. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare janë trajtuar gjithsej 316 pacientë. Prej tyre, 34 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksidente trafiku.

Ndërkohë, edhe muaji që lamë u shënua me aksidente, përfshirë edhe raste me pasoja fatale.

Njohësit e komunikacionit e lidhin rritjen e numrit të aksidenteve me shtimin e qarkullimit të automjeteve gjatë muajve të verës. Ata kërkojnë fushata më intensive të vetëdijesimit, shtim të patrullave policore, vendosje të sinjalistikës shtesë dhe masa të tjera parandaluese.

“Si institucionet, po ashtu shoqëria, që duhet t'i ndërmarrin fushatat e vetëdijesimit. Duhet të kemi fushata të tilla sa më shumë, e sidomos muajve të verës që kemi një fluks më të madh të automjeteve, që të vetëdijesohen shoferët që të kemi një kujdes më të shtuar në komunikacion. Sa i përket Policisë, çfarë mund të bëjë në këtë kohë apo në këtë sezon është që të shtojë numrin e patrullave, të shtojë numrin e pikave aty ku pritet rreziku”, ka thënë Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.

“Zonat e paracaktuara apo të para-studiuara lidhur me problematikat e aksidenteve të vendosen minimalisht patrullat policore, por edhe sinjalistikë shtesë. Përgjegjësinë që kanë drejtuesit apo pjesëmarrësit në ekosistemin e qarkullimit duhet t'ju apelojmë gjithmonë që mjetet të drejtohen me kujdes, t'ju jepet përparësia ndaj këmbësorëve e mbi të gjitha gjatë fazës kur ahengjet janë të shtuara në këtë periudhë, mos të drejtohen mjetet nën ndikimin të alkoolit”, ka thënë Visar Baxhuku, ekspert i komunikacionit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, 46 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Policia bën të ditur se për t`i parandaluar aksidentet, analizon vazhdimisht të dhënat mbi sigurinë në trafik, harton plane operative, zhvillon fushata ndërgjegjësuese dhe si masë parandaluese e ndëshkuese, shqipton gjoba ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.

Në fund, Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që t`i respektojnë rregullat e komunikacionit, të jenë të përqendruar gjatë ngasjes dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.


MË SHUME NGA Lajme