Dugolli: RTK mbështet edhe këtë vit fushatat sensibilizuese për sigurinë
B.H./RTKlive
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka bërë të ditur se Radiotelevizioni i Kosovës do të vazhdojë edhe këtë vit mbështetjen e fushatave sensibilizuese dhe vetëdijesuese për çështje që lidhen me sigurinë publike.
Përmes një postimi në Facebook, Dugolli bëri të ditur se gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla dhe ushtruesen e detyrës së kryeredaktores, Venera Xhoxhaj-Adili, është dakorduar vazhdimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në realizimin e fushatave me interes publik.
Sipas tij, bashkëpunimi do të përfshijë mbështetjen e fushatave për parandalimin e zjarreve, rritjen e sigurisë në trafik, luftimin e posedimit dhe përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, parandalimin e përdorimit të drogave dhe substancave narkotike, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, si dhe dukurive të tjera që cenojnë sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve.
“RTK-ja u zotua që këto tema me interes publik t'i trajtojë edhe përmes skemave programore dhe emisioneve tematike. Në këtë kuadër, agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me RTK-në, do të përgatisin materiale sensibilizuese dhe do të bashkëpunojnë në realizimin e përmbajtjeve mediale, në përputhje me nevojat dhe prioritetet institucionale”, ka shkruar Dugolli.
Dugolli falënderoi drejtuesit dhe stafin e RTK-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve me interes publik, duke vlerësuar kontributin e transmetuesit publik në informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme të sigurisë.























