Qumështi vendor në treg me përbërës shtesë, konsumatorët të painformuar
Arbresha Berisha/ RTK
Në fermat e Kosovës, çdo ditë prodhohet qumësht i freskët. Fermerët thonë se kjo është rezultat i punës së tyre dhe kujdesit që kanë ndaj kafshëve. Megjithatë, para se ky qumësht dhe produktet e tij të mbërrijnë në raftet e marketeve, ato përpunohen. Vaj palme dhe produkte të tjera zëvendësuese janë shtuar në një pjesë të konsiderueshme të këtyre produkteve, ndonëse konsumatorët nuk kanë qenë të informuar për përdorimin e këtyre përbërësve.
Nga ushqimi i kafshëve, higjiena e puna e fermerit. Në këtë fermë në Komunën e Obiliqit prodhohet qumësht vendor. Dita nis herët për fermerin Fahri Aliu, i cili sigurohet që kafshët të rriten dhe të ushqehen me kujdes, e nga to më pas qytetarëve t’u ofrohet qumësht i sigurt e cilësor.
“Gjithsej janë 47 krerë lopë qumështi. Kush merret me lopë të qumështit është goxha e vështirë”, tha ai.
Për çdo dy-tri ditë, Aliu thotë se dorëzon rreth 800 litra qumësht te njëra nga kompanitë e qumështit në vend, e cila më pas e shet atë në treg.
“Çdo dy-tri ditë unë i dorëzoj diku afër 800, 750-800 tash varet qysh. Mos me qenë një lopë diçka në rregull bien, edhe tash temperaturat shumë kanë ndikuar”, tha ai.
Megjithatë, para se të vendosen në raftet e marketeve, një pjesë e produkteve të qumështit në Kosovë përpunohen dhe ndryshojnë përbërjen. Në disa prej tyre shtohet edhe vaji i palmës e zëvendësues të tjerë. Analizat e bëra së fundmi nga Agjencia e Ushqimit kanë nxjerr në pah se një pjesë e kompanive, edhe pse kanë përdorur vaj të palmës e përbërës të tjerë shtesë, nuk i kanë deklaruar ata në etiketat e vendosura në produktet e qumështit. Si rrjedhojë, qytetarët nuk kanë qenë të informuar se çfarë po konsumojnë.
Përdorimi i vajit të palmës në sasi të mëdha është vlerësuar se mund të shkaktojë komplikime shëndetësore.
“Duhet të kemi kujdes në sasinë përdorimet të secilit lloj të produktit ushqimor, sidomos kur bëhet fjalë për produktet të cilat përmbajnë yndyrat e ngopura, të cilat do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në pjesën e personave që kanë problematika të ndryshme me shëndetin, sidomos të sëmundjeve kardiovaskulare, ku do të bëhet edhe shtresimi i atyre yndyrnave dhe rritja e kolesterolit të keq”, tha Flora Hajrizi-Shala, nutricioniste.
Raporti i publikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të mërkurën flet për rritje të importit të produkteve të gatshme të qumështit, si dhe të zëvendësuesve të tij. Po ashtu, sipas raporteve, edhe importimi i vajit të palmës mbetet në nivele shumë të larta.























