Analistët në RTK Prime: Shtyrja e Kuvendit tregon krizë besimi politik
BKT
Lajme

Analistët në RTK Prime: Shtyrja e Kuvendit tregon krizë besimi politik

K. Kasumi / RTKlive

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur sot, ka përfunduar vetëm me betimin e deputetëve, pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe pa u kompletuar organet drejtuese të legjislativit.

Në emisionin RTK Prime u diskutua për zhvillimet politike pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit dhe për krijimin e institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.

Analistja Fatime Hajdari tha se kërkesa për kohë shtesë ishte e pritshme, duke marrë parasysh vështirësitë në negociatat mes LVV-së dhe LDK-së.

Tutje Hajdari tha se LDK-ja ka bërë të qartë se synimi i saj kryesor është posti i presidentit.

Sipas saj, çështja e presidentit ka qenë disa herë shkak i krizave institucionale në Kosovë dhe ekziston rreziku që situata aktuale të përsëritet nëse palët nuk arrijnë kompromis.

“Rruga pa krye do të ishte nëse nuk shkohet drejt një presidenti konsensual”, deklaroi Hajdari, duke theksuar rëndësinë që Kuvendi të konstituohet brenda afateve kushtetuese.

Profesori Fadil Maloku vlerësoi se kërkesa për shtyrje tregon se procesi institucional nuk është vetëm formal, por edhe pjesë e negociatave politike.

“Shtyrja është një instrument i negocimit politik”, tha Maloku, duke theksuar se asnjëra palë nuk ka shumicën absolute për të krijuar institucionet pa marrëveshje.

Ai kritikoi mungesën e besimit mes partive politike dhe tha se shtyrja po tregon një krizë të përgjegjësisë politike.

“Institucionet mund të krijohen kur rritet frika nga dështimi”, u shpreh Maloku, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga LVV dhe LDK.

Ndërsa publicisti Sadik Zeqiri e kritikoi kërkesën për afat shtesë, duke thënë se bisedimet është dashur të zhvillohen gjatë gjithë periudhës pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Kërkesa për afat shtesë nuk ka qenë në kohën e duhur. Për këto 29 ditë është dashur të bisedohet çdo ditë”, tha Zeqiri.

Sipas tij, edhe pse kërkesa për shtyrje është brenda mundësive ligjore, nuk është dashur që çështja e krijimit të institucioneve të lihej në ditën e fundit të afatit.


MË SHUME NGA Lajme