Nis "Chillifest" në Krushë të Madhe
Shqipe Gashi|RTKlive
Festivali tradicional i perime-kulturës "Chillifest" nis sot në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke shënuar edicionin e tij të 12-të. Festivali do të vazhdojë edhe më 8 dhe 9 gusht, me aktivitete të ndryshme kulturore, bujqësore dhe argëtuese. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në programin e mëngjesit në RTK, koordinatori i festivalit, Ilfon Ramadani, foli për përgatitjet, historikun dhe rëndësinë që ka kjo ngjarje për bujqësinë, kulturën dhe turizmin.
Ramadani tha se organizimet kanë përfunduar dhe se gjithçka është gati për pritjen e vizitorëve.
"Po, kemi filluar me një festë ose me një traditë të punës sepse kemi punuar pa ndërprerë. Tani është në fund, jemi të gjithë gati. Vetëm do të jemi duke e pritur festën që do të na bashkëngjiteni edhe ju", tha Ilfon Ramadani.
Ai shpjegoi se festivali këtë vit po mbahet për herë të 12-të dhe se ndër vite ka ndryshuar emrin, duke u përshtatur me një koncept më të gjerë promovues.
"Është për 12 vite me radhë, tani është viti i 12-të që mbahet ky festival. Në fillim e ka pasur emrin 'Festivali i Specit', më vonë 'AgroFest', kurse në këtë vit e kemi quajtur 'Chilli Fest', për shkak se doja t'i ofroja një fjalë angleze 'chill' – që është relaks – edhe duke ia bashkëngjitur emrin e 'chilli'-t që është një spec djegës", tha Ramadani.
Sipas Ramadanit, festivali mbështetet në traditën dhe trashëgiminë kulturore të zonës, ndërsa synon promovimin e prodhimeve bujqësore dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me tregje brenda dhe jashtë vendit.
"Kjo festë e ka traditën e ndikuar edhe në trashëgiminë tonë kulturore që njihet sikur të vjelat kur ka përfunduar darka e lamës që është mbajtur. Jemi munduar ta mbajmë një ideologi të festës që t'i ekspozojmë prodhimet bujqësore, të takohemi me njerëzit, për të kontraktuar dhe për t'i sjellë prodhimet bujqësore jo vetëm në tryezat në Kosovë e Shqipëri, por edhe në vende të tjera", tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se festivali ka si synim zhvillimin e turizmit në Krushë të Madhe, duke promovuar jo vetëm historinë dhe kulturën e zonës, por edhe punën dhe sakrificën e banorëve pas luftës.
"Kjo festë ose ky festival ka një qëllim të mirë, për shkak se do të zhvillojë turizmin edhe në anën tonë. Pos turizmit që e kemi të zhvilluar në Muzeun e Masakrës, të zhvillojmë turizmin edhe në aspekte të tjera: të kulturës, të punës, dhe ta njohin të tjerët punën e heronjve të fshatit të Krushës, po ashtu të komunës së Rahovecit dhe gjithandej, sepse kanë bërë një sakrificë të madhe për t'i rritur fëmijët menjëherë pas luftës", shtoi ai.
Në fund, Ramadani ftoi qytetarët dhe vizitorët të marrin pjesë në festival, duke theksuar se përveç ekspozimit të produkteve bujqësore, çdo mbrëmje do të organizohen aktivitete argëtuese me artistë dhe DJ të njohur.
"Andaj kjo festë është shumë e mirë edhe për ne, edhe për bujqit, për bashkëqytetarët tanë, për komunën e Rahovecit, po ashtu për të gjithë Kosovën, sepse mundohemi t'i sjellim edhe të huajt në festa të ndryshme që do të na vizitojnë. Po ashtu çdo mbrëmje duam të kemi një atmosferë festive ku marrin pjesë disa këngëtarë e DJ të njohur", tha Ilfon Ramadani.























