Inspektorati nis largimin e produkteve me yndyrë bimore nga tregu
BKT
Lajme

Inspektorati nis largimin e produkteve me yndyrë bimore nga tregu

K. K. / RTKlive

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka njoftuar se sot ka filluar largimin nga tregu të të gjitha produkteve të deklaruara në etiketim së përmbajnë yndyrë me origjinë bimore (vaj palme dhe vaj kokosi).

Sipas njoftimit, aksioni vjen pas vendimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila gjatë ditës së sotme urdhëroi nëntë kompani që të tërheqin nga tregu produktet e tyre të deklaruara me këta përbërës.

Për të verifikuar zbatimin e urdhrit, IQMT ka filluar inspektimet në marketet e kategorisë B dhe C, me synim identifikimin dhe largimin e produkteve nga raftet dhe ndalimin e shitjes së tyre.

Produktet e deklaruara në etiketim me yndyrë me origjinë bimore që sipas inspektorati duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu janë të kompanive:

Drena SHPK;
Bylmeti KS SHPK;
Koral Dairy SHPK;
Magic Ice Joint Stock Sh.A.;
Opatija Comerc SHPK;
Qumështorja Aldi;
Gexha SHPK;
ABI SHPK; dhe
Natyra-G SHPK.

"Ndërkohë, për produktet e kompanisë Abrazen – Vita;, procesi i inspektimit ende është në zhvillim", thuhet në njoftim.

Subjektet e lartcekura janë urdhëruar që të ndërpresin menjëherë aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe të largojnë nga ekspozimi dhe shitja të gjitha produktet kompozite të përfshira në këtë masë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit përmes Inspektoratit(MINTI) Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, thotë se do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të këtyre masave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi ndaj çdo subjekti që nuk respekton urdhëresat e institucioneve kompetente.

Tutje theksohet se MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorit, garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurimin e një tregu të drejtë dhe të sigurt për qytetarët.


MË SHUME NGA Lajme