Zelensky në Beograd, test i ri për politikën balancuese të Vuçiqit
BKT
Foto arkiv / Getty
Lajme

Zelensky në Beograd, test i ri për politikën balancuese të Vuçiqit

Tamara Nikçeviq

“Nuk duhet të harrojmë se Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, se dy herë ka organizuar samitet Evropa Juglindore – Ukrainë dhe asnjëherë nuk i ka ftuar "përfaqësuesit e Prishtinës". Këto janë gjëra që ne duhet t’i respektojmë”, porositi presidenti i Serbisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vjen për vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi në një kohë kur Beogradi vazhdon të balancojë ndërmjet rrugës evropiane, marrëdhënieve tradicionale me Rusinë dhe bashkëpunimit gjithnjë e më intensiv me Kievin. Pikërisht për këtë arsye, takimi i paralajmëruar mes dy presidentëve ka tërhequr vëmendje të madhe të opinionit publik serb, por edhe interpretime krejtësisht të kundërta në mediat ruse dhe gjermane, të cilat në të njëjtën ngjarje shohin mesazhe të ndryshme politike.

UKRAINA NUK E KA NJOHUR KOSOVËN

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky do të bisedojë për disa tema kryesore, ndër të cilat janë rruga evropiane e Serbisë dhe Ukrainës, bashkëpunimi ekonomik dypalësh dhe energjetika. Sipas tij, të dy shtetet përballen me sfida të ngjashme në procesin e integrimeve evropiane, prandaj pritet shkëmbim përvojash dhe mundësi për mbështetje të ndërsjellë. Zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik, si dhe bashkëpunimi në fushat e kulturës dhe sportit, do të jenë temat kryesore të bisedimeve mes dy presidentëve.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve, presidenti Vuçiq rikujtoi se Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk duhet të harrojmë se Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, se dy herë ka organizuar samitet Evropa Juglindore – Ukrainë dhe asnjëherë nuk i ka ftuar përfaqësuesit e Prishtinës. Këto janë gjëra që ne duhet t’i respektojmë”, tha presidenti i Serbisë.

I pyetur nëse ardhja e presidentit Zelensky mund të nënkuptojë ndryshim të politikës së Serbisë ndaj sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiq u përgjigj negativisht.

“Serbia i ka paraqitur qëndrimet e saj para pothuajse pesë vjetësh dhe nuk i ka ndryshuar gjatë kësaj periudhe. Kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, tha Vuçiq, duke theksuar se Serbia do të ruajë qasjen e deritanishme pavarësisht pritjeve të ndryshme të partnerëve ndërkombëtarë.

PASOJAT GJEOPOLITIKE

Vizita e paralajmëruar e presidentit Zelensky në Beograd ka nxitur reagime edhe nga partitë opozitare në Serbi. Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS), Millosh Jovanoviq, vlerësoi se partia e tij mbështet marrëdhënie të mira ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës, para së gjithash për faktin se Kievi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ai konsideron se vizita duhet parë në një kontekst më të gjerë gjeopolitik.

Sipas tij, Perëndimi po përpiqet të tregojë se Serbia dhe Ukraina ndodhen në një “kurs të pakthyeshëm perëndimor”, duke shtyrë njëkohësisht mënjanë ndikimin rus në Ballkan.

Jovanoviq vlerëson se pretendimet se temat kryesore do të jenë tregtia dhe ekonomia janë vështirë të besueshme në rrethanat aktuale, duke shtuar se një nga çështjet kyçe mund të jetë bashkëpunimi në industrinë ushtarake dhe eksporti i municionit serb në Ukrainë. Ai paralajmëron se vizita mund të rëndojë më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, të vërë në pikëpyetje mbështetjen ruse për Serbinë lidhur me Kosovën dhe energjetikën, si dhe të konfirmojë, sipas tij, afrimin gradual të Serbisë me qendrat perëndimore të fuqisë.

Lideri i DSS-së së Re përfundon se nevojitet sa më shpejt një marrëveshje paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por edhe rishikimi i politikës së jashtme të Serbisë, përfshirë qëndrimin e saj ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“SHUPLAKË NË FYTYRË RUSËVE”

Mediat ruse Sputnik dhe RT Balkan e kanë paraqitur vizitën e paralajmëruar kryesisht përmes prizmit të marrëdhënieve Serbi–Rusi. Ndërsa Sputnik publikoi një lajm të shkurtër për vizitën e parë bilaterale të Zelenskyt në Serbi, RT Balkan transmetoi në detaje mesazhet e Vuçiqit se bisedimet do t’i kushtohen integrimeve evropiane, ekonomisë dhe energjetikës, por vuri theks të veçantë në dy mesazhe të presidentit serb – se Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën e saj ndaj sanksioneve kundër Rusisë.

Njëkohësisht, RT Balkan përcjell edhe vlerësimin e agjencisë franceze AFP se vizita ka rëndësi simbolike, pasi Zelensky po vjen në një shtet që tradicionalisht konsiderohet aleat i Moskës. Në tekst citohet edhe një zyrtar ukrainas i paidentifikuar, i cili e përshkruan vizitën si përpjekje për afrimin e Serbisë me Ukrainën dhe si një “shuplakë në fytyrë rusëve”.

Media ruse kujton gjithashtu angazhimin e Kosovës në programet ndërkombëtare të trajnimit të forcave ukrainase, mesazhet e mëhershme të Zelenskyt drejtuar Kroacisë me rastin e përvjetorit të operacionit “Stuhia”, si dhe qëndrimin e Moskës se për negociatat e ardhshme të paqes nevojitet një udhëheqje e re politike në Ukrainë.

Me këtë përzgjedhje temash, mediat ruse e paraqesin vizitën si një ngjarje që tejkalon marrëdhëniet dypalëshe Serbi–Ukrainë dhe reflektohet drejtpërdrejt në raportet ndërmjet Beogradit dhe Moskës.

ÇFARË SHKRUAJNË MEDIAT GJERMANE

Ndryshe nga mediat ruse, gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung fokusohet te pasojat e mundshme politike dhe të sigurisë të vizitës së presidentit Zelensky në Beograd. Gazeta shkruan se ardhja e presidentit ukrainas është përgatitur prej kohësh, por se në disa qarqe politike ukrainase ka pasur rezistencë për shkak të marrëdhënieve tradicionalisht të afërta mes Serbisë dhe Rusisë. Edhe pse, sipas gazetës, zyrtarisht do të dominojnë temat ekonomike, në qarqet diplomatike spekulohet se një nga temat më të rëndësishme mund të jetë bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët të mjeteve ajrore pa pilot.

Autori i tekstit, Michael Martens, kujton se Serbia vazhdon të konsiderohet vendi evropian me simpatitë më të theksuara ndaj Rusisë, por vlerëson se Beogradi po i intensifikon njëkohësisht kontaktet me Ukrainën pa i ndërprerë lidhjet me Moskën.

Një pjesë e veçantë e artikullit i kushtohet dëshmisë së ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar furnizimin e Ukrainës me sasi të konsiderueshme municioni serb, duke u përpjekur që Serbia të mos paraqitet si përfituese e luftës, por si partnere që kontribuon në mbrojtjen e Ukrainës. Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan gjithashtu se vitet e fundit janë zhvilluar bisedime për prodhimin e përbashkët të dronëve dhe për një marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës.

BALANCIMI

Historiani kroat Tvrtko Jakovina vlerëson se vizita e presidentit Zelensky në Beograd do ta forcojë më tej pozitën e presidentit serb në politikën e jashtme. Ai kujton se edhe para fillimit të luftës kishte vlerësime të ndryshme për politikën e Vuçiqit të balancimit ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit: disa mendonin se kjo qasje jepte rezultate, ndërsa të tjerë këmbëngulnin se Serbia duhej të zgjidhte qartë njërën anë.

“Është e qartë se ende nuk është vendosur se në cilën anë do të shkohet. Politika e disa vendeve të mëdha evropiane tregon se vlerësimet e Vuçiqit ndoshta kanë qenë më të sakta sesa vlerësimet e kritikëve që kërkonin të zgjidhej vetëm e zeza ose e bardha”, tha Jakovina.

Vizita e parë zyrtare e presidentit Volodymyr Zelensky në Serbi, pajtohen analistët, tejkalon kornizat e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve. Nëse ajo do të mbetet vetëm një gjest simbolik diplomatik apo do të shënojë fillimin e një afrimi më konkret ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës, do të varet nga rezultatet e bisedimeve në Beograd.

Megjithatë, takimi i dy presidentëve ka hapur një kapitull të ri në debatet për kursin e politikës së jashtme të Serbisë dhe për drejtimin që Beogradi mund të ndjekë në të ardhmen në rrethana ndërkombëtare mjaft komplekse.

Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon tema nga rajoni.


MË SHUME NGA Lajme