Lushaku: Po presim seancën sonte, nuk ka arsye për ta mbajtur nesër
Medina Pasoma / RTKlive
LDK është në mesin e partive opozitare të cilat po qëndrojnë në Kuvendin e Kosovës, në thirrjen e tyre publike ndaj LVV-së për ta mbajtur seancën konstituive sonte.
Jehona Lushaku-Sadriu tha se ata po presin në mënyrë që konstituimi i Kuvendit të ndodhë duke respektuar afatet kushtetuese.
“Ne do të shohim të gjitha aktet ligjore dhe kushtetuese dhe do të jemi në ballë të detyrave tona. Para së gjithash, sonte është afati i konstituimit të Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye për të pasur iniciativa për seanca të tjera. S’mund të flas për seanca të tjera, për aq sa bëj thirrje që sonte të jetë seanca ashtu siç parashikohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në qershorin e vitit 2025”, tha ajo, e pyetur nëse do të marrin pjesë në seancën e thirrur nesër në orën 11:00, nëse LVV kundërshton thirrjen për mbajtjen sonte.
“Është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë, ku sfidohet kushtetutshmëria, funksionaliteti, po pamundësohet puna e deputetëve, për çka kemi marrë legjitimitetin nga qytetarët. Është e papranueshme që konstituimi i Kuvendit të mos ndodhë sonte”, tha ajo.
Ajo tha se vendit i duhet themelimi i institucioneve dhe funksionaliteti kushtetues.
“Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që, kurdo që të thirret seanca, ta bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve tona. Pavarësisht marrëveshjes politike, është obligim i yni t’i japim vendit institucione”, tha Lushaku-Sadriu.























