Hamza: Do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike, nuk përjashtohet protesta
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media nga holli i Kuvendit pas orës 00:00, tha se moskonstituimi i Kuvendit përbën shkelje të Kushtetutës dhe se PDK-ja do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike, duke mos përjashtuar as protestën.
Hamza tha se deputetët kanë qenë në Kuvend për të treguar gatishmërinë për pjesëmarrje në seancën konstituive, ndërsa dyert e sallës kanë qenë të mbyllura.
“Administrata e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt që është çështje teknike, do të thotë administrata e Kuvendit i ka dyert e mbyllura. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit, kur është dashur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të procesohet edhe me zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit”, deklaroi Hamza.
Ai tha se kemi të bëjmë me mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kushtetutës.
“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”, potencoi ai.
Hamza tha se Kosova nuk është pronë e asnjë partie dhe se PDK-ja do t’i përdorë të gjitha veprimet ligjore dhe demokratike.
“Nuk është Republika e Kosovës pronë e asnjë partie. Shteti qeveriset me rregulla, me ligje. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, demokratike në mbrojtje të kushtetutshmërisë së vendit”, u shpreh Hamza.
Sa i përket pjesëmarrjes në seancën e së shtunës, Hamza tha se çështja do të trajtohet nesër.
“Do ta trajtojmë këtë çështje nesër. Ne po kërkojmë me u respektu akti më i lartë”, tha ai.
Hamza tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për abuzim.
“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, mirëpo është një abuzim eklatant edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Është joserioze dhe e papërgjegjshme”, tha ai.
Ai tha se nuk ka seriozitet nga kreu i VV-së Albin Kurti dhe se, nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësinë e mban Vetëvendosje.
“S’ka seriozitet nga Kurti. Janë për të blerë kohë dhe për t’ia faturuar fajin dikujt tjetër pse po shkojmë në zgjedhje. Nëse vendi shkon në zgjedhje, adresa është Albin Kurti dhe Vetëvendosje”, tha Hamza.
Ai tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike, duke mos përjashtuar as protestën.























