Tahiri: LVV-ja po refuzon ta funksionalizojë Kuvendin, po prodhon krizë politike
Sh.G/RTKlive
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj Albin Kurti se po refuzojnë funksionalizimin e Kuvendit, duke thënë se kanë numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Tahiri tha se LVV-ja, pavarësisht numrit të votave, po refuzon të propozojë emër për kryetar të Kuvendit dhe, sipas tij, po vazhdon të prodhojë krizë politike.
“Lëvizja Vetëvendosje edhe Albin Kurti e kanë numrin e mjaftueshëm të votave që me zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe me e funksionalizuar Kuvendin. Mirëpo po shohim se refuzojnë me propozuar emër, refuzojnë me funksionalizuar Kuvendin dhe preferojnë që në vazhdimësi me prodhuar krizë politike”, tha Tahiri.
Ai tha se qytetarët kanë votuar për funksionalizimin e institucioneve dhe për qeverisje, ndërsa situatën e krijuar në Kuvend e cilësoi si mungesë përgjegjësie dhe respekti ndaj Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar për me pasur funksionalizim të Kuvendit dhe institucioneve, për me pasur qeverisje dhe me pasur përgjegjshmëri prej neve për institucionet, po edhe për shoqërinë”, tha ai.
Tahiri përmendi edhe koston e lartë të jetesës dhe sfidat me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët, duke thënë se në vend të projekteve dhe politikave publike po prodhohet krizë politike.
“Është për keqardhje. Partia Demokratike e Kosovës ka pasur qasje konstruktive, ka pasur plan-program, ka pasur energji, dhe si rezultat i energjisë sonë e i rëndësisë sonë që e kemi për institucionet e vendit, kemi qenë sot pranishëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që me e mundësuar, me u funksionalizuar edhe me u kthyer normaliteti në vend”, deklaroi Tahiri.























