Vazhdon të jetë i hapur aplikimi për ‘Akordet e Kosovës’
Medina Pasoma / RTKlive
Vazhdon të mbetet i hapur aplikimi për pjesëmarrje në festivalin “Akordet e Kosovës 2026”.
Të gjithë këngëtarët, kompozitorët dhe tekstshkruesit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, kanë afat kohor deri më 31 gusht në orën 23:59 të dorëzojnë aplikimet e tyre në ueb-faqen zyrtare të RTK-së.
Festivali do të organizohet në tri mbrëmje, në datat 30 e 31 tetor dhe 1 nëntor. Nata e parë dhe e dytë do t’i dedikohet Muzikës Moderne, ndërkaq nata e fundit do të jetë mbrëmje e rezervuar për Muzikën për Fëmijë.
Për Mbrëmjen e Muzikës Moderne, ftohen të aplikojnë këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, me vepra të reja muzikore që pasqyrojnë zhvillimet bashkëkohore të muzikës shqiptare.
Ndërkaq, Mbrëmja e Muzikës për Fëmijë synon promovimin e talenteve të reja dhe të krijimtarisë muzikore për fëmijë. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç, ndërsa në garë mund të përfshihen edhe kompozitorë e tekstshkrues nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Aplikimi për të dy kategoritë bëhet përmes ueb-faqes zyrtare të RTK-së, duke plotësuar formularin përkatës dhe duke ngarkuar veprën muzikore.
“Akordet e Kosovës” synon të jetë një platformë e rëndësishme për promovimin e muzikës shqipe, krijuesve dhe interpretëve të rinj, duke bashkuar në një festival të vetëm traditën, talentin dhe frymën bashkëkohore të muzikës shqiptare.























