KFOR-i nis tërheqjen graduale nga Ura e Ibrit, Policia me shumë përgjegjësi
BKT
Lajme

KFOR-i nis tërheqjen graduale nga Ura e Ibrit, Policia me shumë përgjegjësi

Edona Podvorica|RTK

Pas më shumë se dy dekadash, një nga simbolet më të dukshme të pranisë ndërkombëtare në Urën e Ibrit po ndryshon.  Deri dje, aty qëndronte tenda e KFOR-it, si një nga shenjat  e prezencës së  përhershme ndërkombëtare mbi Urën e Lumit Ibri.

Tashmë ajo është hequr.  Dhe për herë të parë, patrulla e karabinierëve italianë, që  jemi mësuar për vite ta shohim teksa ka qëndruar 24 orë përhershem në pjesën veriore të urës së Ibrit, sot ka lëvizur drejtë jugut dhe anasjelltas.

Misioni i KFOR-it në Kosovë i ka konfirmuar RTK-së se ka filluar largimin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore të Mitrovicës.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka nisur të marrë gradualisht përgjegjësinë për sigurinë në urë.

"I gjithë proces do të vijoj në koordinim të ngushtë mes KFOR-it, të cilët deri tani kanë pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë, dhe Policisë së Kosovës, por jo vetëm" tha Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se po punohet që i gjithë procesi të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Me përmirësimin e sigurisë edhe vetë prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanca për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt", tha Sveçla.

KFOR-i tha se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe në bazë të kushteve në terren, ndërsa gjithçka po koordinohet ngushtë me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Po ashtu, KFOR-i ka bërë të ditur se komandanti i misionit, gjeneralmajor Özkan Uluta, vazhdon të jetë në kontakt me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve të vendit, organizatave ndërkombëtare dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.

Sipas njohësve të sigurisë, ndryshimi i pranisë së KFOR-it lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ura e Ibrit, që ndan pjesën jugore të Mitrovicës, nga pjesa veriore ishte bllokuar për herë të parë pas luftës, në vitin 1999.

Ndër vite janë arritur marrëveshje dhe dakordime për funksionalizimin e saj, ndërsa janë bërë edhe investime infrastrukturore dhe ura është hapur për qarkullimin e këmbësorëve. Ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.


MË SHUME NGA Lajme