DokuFest po sjell atmosferë të jashtëzakonshme në Prizren, kinematë të mbushura
BKT
Kulturë

DokuFest po sjell atmosferë të jashtëzakonshme në Prizren, kinematë të mbushura

K. K. / RTKlive

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, po zhvillohet me pjesëmarrje të madhe të publikut dhe atmosferë të gjallë në qytetin e Prizrenit. Kështu ka deklaruar Blerina Kanxha, koordinatore për marrëdhënie me publikun në DokuFest, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Kanxha tha se festivali, në ditën e pestë të tij, po shkon shumë mirë, ndërsa kinematë janë të mbushura me shikues.

“Është dita e pestë e festivalit dhe mendoj se është duke shkuar mjaftueshëm mirë. Ka shumë njerëz që kanë ardhur, kinematë janë plot”, tha ajo.

Sipas saj, interesi i publikut është i madh edhe për shkak të programit të pasur, i cili përfshin mbi 200 filma, krahas aktiviteteve të tjera si diskutimet, panelet dhe takimet me regjisorë.

Një pjesë e rëndësishme e programit janë edhe DokuTalks, ku diskutohen tema të ndryshme që lidhen me kinematografinë. Kanxha bëri me dije se një nga diskutimet trajton mënyrën se si filmi i shkurtër udhëton nëpër botë dhe sfidat me të cilat përballen krijuesit e këtij formati.

Ajo veçoi edhe programin kombëtar, i cili ka nisur me prezantimin e filmave të regjisorëve vendorë.

“Është gjithmonë një moment i jashtëzakonshëm, se janë prurje shumë të mira. Ka edhe një lloj sensi krenarie që të rinj e të reja, por edhe njerëz profesionistë, arrijnë ta përcjellin punën e tyre në vendin e tyre dhe me gjuhën e tyre”, pohoi Kanxha.

Kanxha foli edhe për atmosferën në Prizren, duke theksuar se festivali ka sjellë një energji të veçantë në qytet. Sipas saj, rrugët janë të mbushura me turistë, artdashës dhe filmdashës, ndërsa qyteti vazhdon të jetë aktiv edhe gjatë orëve të vona të natës.

Në ditët në vijim, programi i DokuFestit pritet të vazhdojë me një sërë aktivitetesh. Kanxha njoftoi se më 12 gusht nisin aktivitetet e DokuNights, ndërsa rikthehet edhe Andra Stage. Po ashtu, në program janë edhe biseda me emra të njohur të kinematografisë, si dhe programe të dedikuara për fëmijët.

Një tjetër pjesë e festivalit janë punëtoritë për të rinjtë dhe fëmijët, të cilat u mundësojnë pjesëmarrësve të mësojnë mënyra të ndryshme të krijimit të filmave të shkurtër dhe punës me kukulla e forma të tjera të shprehjes filmike.

Sa i përket garës, juritë e kategorive të ndryshme tashmë janë duke i vlerësuar filmat, ndërsa fituesit do të bëhen të ditur në ceremoninë përmbyllëse të festivalit. Përveç çmimeve të jurive, publiku do të ketë mundësi të votojë edhe për Çmimin e Audiencës.


MË SHUME NGA Kulturë