Vazhdon pritja e mërgimtarëve në Kuvend
BKT
Lajme

Vazhdon pritja e mërgimtarëve në Kuvend

E.Hoti/RTKlive

Ka vazhduar sot aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”, me pritjen e qindra bashkatdhetarëve në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, 432 bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës janë pritur nga deputetë të Kuvendit dhe zyrtarë të administratës, të cilët i kanë shoqëruar ata gjatë vizitës dhe i kanë informuar për punën, funksionimin dhe rolin e institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.

Gjatë vizitës, bashkatdhetarët kanë pasur mundësi të njihen nga afër me hapësirat e Kuvendit, përfshirë sallën plenare, si dhe me historikun dhe veprimtarinë e këtij institucioni.

“Pjesëmarrësit kanë shprehur interesim të veçantë për punën e Kuvendit dhe zhvillimet institucionale në vend, ndërsa vizita ka shërbyer edhe si mundësi për bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e zgjedhur”, thuhet në njoftim.

Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend” synon të afrojë mërgatën me institucionet e Republikës së Kosovës, duke u mundësuar bashkatdhetarëve që gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë të vizitojnë Kuvendin dhe të njihen më nga afër me punën e tij.

Aktiviteti vazhdon edhe nesër, nga ora 12:00 – deri në 16:00.


MË SHUME NGA Lajme