Dita Ndërkombëtare e Rinisë, aspirata të përbashkëta përtej dallimeve
Sh.Çoçaj/RTKlive
12 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, e cila këtë vit vendos në qendër aspiratat e përbashkëta të të rinjve në mbarë botën, pavarësisht dallimeve në shoqëritë dhe komunitetet ku jetojnë.
Me temën “Kontekste të ndryshme, aspirata të përbashkëta”, Organizata e Kombeve të Bashkuara nënvizon se të rinjtë, pavarësisht rrethanave të ndryshme, ndajnë kërkesa të ngjashme për dinjitet, mundësi, pjesëmarrje dhe një të ardhme më të qëndrueshme.
Në mesazhin e tij për këtë ditë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, thekson se sfidat me të cilat përballen të rinjtë nuk kufizohen vetëm brenda një shteti.
“Të rinjtë tashmë po udhëheqin si organizatorë dhe novatorë. Por, për të shkuar më tej, ata kanë nevojë për qasje në aftësitë që do të formësojnë të ardhmen – nga të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve deri te njohuritë digjitale”, tha ai.
Guterres kërkon gjithashtu që të rinjtë të trajtohen si partnerë të barabartë dhe të kenë një rol më të madh në proceset vendimmarrëse në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Të dhënat e OKB-së tregojnë rëndësinë në rritje të kësaj grupmoshe. Publikimi “World Population Highlights 2026: Youth” analizon ndryshimet në numrin dhe shpërndarjen gjeografike të të rinjve, si dhe çështjet që lidhen me mirëqenien dhe mundësitë e tyre.
Sipas OKB-së, investimet në arsim, aftësi, punësim dhe mundësi të barabarta janë thelbësore për të reduktuar pabarazitë dhe për t’u krijuar të rinjve mundësi për një jetesë të qëndrueshme.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë, e cila shënohet çdo vit më 12 gusht, synon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat dhe mundësitë që lidhen me të rinjtë dhe për rëndësinë e përfshirjes së tyre në shoqëri.
Mesazhi i këtij viti është se dallimet në kontekst nuk duhet të jenë pengesë për aspiratat e përbashkëta. Nga arsimi dhe punësimi te përfshirja digjitale, klima dhe pjesëmarrja në vendimmarrje, të rinjtë kërkojnë më shumë mundësi për të ndikuar në të tashmen dhe për të formësuar të ardhmen.























