Çitaku: PDK do të kërkojë sërish seancën pas 48 orësh
E.Hoti/RTKlive
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se partia e saj do të kërkojë sërish thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, pas 48 orësh.
Ajo kritikoi deputetin më të vjetër të Kuvendit dhe kryesuesin e seancave, Avni Deharin, duke e akuzuar se po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Zoti Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, situata e krijuar nuk paraqet vetëm një mosmarrëveshje procedurale, por një model të sjelljes politike që, sipas saj, po e bllokon funksionimin e institucioneve.
“Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kur vullneti i një partie politike vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe të demokracisë”, tha ajo.
Çitaku theksoi se mandatet e deputetëve burojnë nga qytetarët dhe jo nga partitë politike.
“Këto mandate na ka dhënë qytetari dhe jo VV-ja. Përmes bllokimi të konstituimit të Kuvendit, Kurti po na e pamundëson ushtrimin e mandatit që na kanë dhënë qytetarët. Sot kemi një thirrje për Albin Kurtin, ta kthejmë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, ta lëmë republikën të funksionojë. Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orës. Aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më vetëm brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetarë. Kosova nuk ka nevojë për tensione të reja”, ka thënë ajo.
Çitaku foli edhe për incidentet e raportuara gjatë zhvillimeve në Kuvend, duke pretenduar se pjesëtarë të sigurisë së afërt kanë cenuar integritetin fizik të disa deputetëve të PDK-së.
Ajo bëri të ditur se për këtë çështje PDK-ja do të ndërmarrë hapa në Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Ne nuk jemi këtu për shou. Ky nuk ka qenë aksion politik. Ne i jemi përgjigjur detyrës sonë kushtetuese dhe ligjore për ta konstituar Kuvendin e Republikës”, deklaroi ajo.























