Përplasjet mes deputetëve tensionojnë situatën brenda Kuvendit
BKT
Lajme

Përplasjet mes deputetëve tensionojnë situatën brenda Kuvendit

Donika Sherifi / RTK

Ndonëse kërkesa e tyre për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit nuk u miratua nga kryesuesi Avni Dehari, megjithatë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të mërkurën u mblodhën në sallë.

Kësaj nisme iu bashkuan edhe deputetet e Aleancës, të cilët kërkuan thirrjen e seancës sa më parë që është e mundur.

“Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë”, ka thënë Arian Tahiri i PDK-së.

 “Ne nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë në anën tjetër Besnik Tahiri nga Aleanca.

Pasi përfunduan fjalimet, deputetët u larguan nga salla dhe dolën në holl, ku pritej që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ta mbante një konferencë për medie rreth aktiviteteve që mbaheshin në Kuvend. Megjithatë konferenca nuk u mbajt.

Ndërkohë deputetët nga PDK e Aleanca u kthyen sërish në sallë, e situata u tensionua kur aty erdhën edhe deputetët e Vetëvendosjes. Tensionet vazhduan edhe më tej.

Tensione pati edhe mes Mërgim Lushtakut e Adnan Rrustemi, të cilët debatuan ashpër.
Në sallë erdhi më vonë edhe Haxhiu  për t’iu drejtuar me një fjalë rasti mërgimtarëve, të cilën e mbajti nën thirrjet e deputetëve nga PDK e Aleanca për thirrjen e seancës.

Në sallë plenare më vonë erdhi edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

PDK paralajmëroi veprime edhe ditëve në vijim.

Ndërkohë që Kurti si lider i LVV-së u ka dërguar sërish ftesa liderëve partiak për takim, partitë tjera insistojnë vetëm në vazhdimin e seancës konstituive.

Ndërkohë, kryesuesi, Avni Dehari ka thënë se në momentin që ka sinjale për një marrëveshje politike, do të thirret vazhdimi i seancës.


MË SHUME NGA Lajme