Interes i madh për Galerinë Kombëtare të Kosovës|VIDEO
Arbana Hajredinaj /RTK
Pas rihapjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës pas renovimit, interesi i publikut për ta vizituar institucionin ka qenë i madh. Një nga risitë e këtij viti janë vizitat në depot e Koleksionit Shtetëror, të cilat organizohen çdo të martë dhe të enjte.
Drejtuesit e galerisë shprehen shumë të kënaqur me frekuentimin e vizitorëve, duke theksuar se hapësira e re ka rikthyer një lidhje të rëndësishme ndërmjet publikut dhe artit pamor.
“Numri sillet diku rreth 70 vizitorë në ditë që i bjen që në total gjatë muajit korrik deri tani që jemi në gusht kemi pasur diku 200 vizitor plus minus aty diku”, tha Alisa Gojani Berisha, drejtoreshë e GKK-së.
Përfaqësuesit e institucionit theksuan se emocionet më të veçanta vijnë pikërisht gjatë këtyre vizitave, sidomos kur në galeri vijnë artistë që janë pjesë e koleksionit shtetëror të cilët ndihen të qetë duke ditur se veprat e tyre ruhen dhe do t’u përcillen brezave të ardhshëm.
“Sidomos emocionet më të mëdha janë te ata të cilët janë pjesë e koleksionit siç kemi pas rastin me profesorët e nderuar Fatmir Krypa ose Esat Valla të cilët kur erdhën thanë se tash me të vërtetë po ndihen rehat sepse flejnë të qetë sepse e dijnë që veprat e tyre do të përcillen te gjeneratat e ardhme”, tha ajo.
Vizitorët mund të aplikojnë paraprakisht për termine, ndërsa oraret për këto vizita rezultojnë pothuajse gjithmonë të rezervuara gjë që dëshmon për interesimin e madh të publikut.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që është krijuar një hapësirë e tillë, fillimisht për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e koleksionit të galerisë kombëtare, po ashtu edhe për mundësinë që vizitorët të shohin se çfarë ka këtu në koleksion ose të paktën një pjesë të saj, poashtu edhe me pa vetë ndryshimet edhe renovimin e hapësirës”, tha Sihana Klisurica, vizitore.
Ndërkaq, Galeria Kombëtare e Kosovës ka paralajmëruar edhe aktivitetet e ardhshme, përfshirë ekspozitën retrospektive të profesor Xhevdet Xhafës në shtator dhe përgatitjet për Bienalen “Muslim Mulliqi”, e cila do të mbahet në janar 2027 nën kurimin e kuratores ndërkombëtare Mami Kataoka, nga MoMA – Museum of Modern Art në New York.























