Barcola gjithnjë e më afër Liverpool-it
F.Bytyqi/RTKLive
Liverpooli ka marrë një sinjal pozitiv në përpjekjet për të transferuar Bradley Barcolan nga Paris Saint-Germain, pasi klubi francez ka arritur marrëveshje verbale me Ajaxin për sulmuesin Mika Godts.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romanos, PSG dhe Ajax kanë rënë dakord në parim për një transferim me vlerë rreth 55 milionë euro për Godts. Marrëveshja shihet si një hap i rëndësishëm për klubin parisien, i cili po përgatitet për ndryshime në repartin ofensiv.
Godts pritet të jetë një alternativë për Barcolan, i cili prej më shumë se një muaji është në radarët e Liverpoolit. Klubi anglez ka shfaqur interes të fortë edhe për Ibrahim Mbaye, por transferimi i tij në “Anfield” duket më pak i mundshëm për shkak të kërkesave të larta financiare.
Me afrimin e Godts dhe Ferran Torresit, Luis Enrique do të kishte deri në nëntë alternativa për pozicionet e krahut në sezonin 2026/27, një numër që mund të nxisë largimin e disa prej tyre.
Kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Barcolan. Sipas raportimeve të Ben Jacobs, transferimi i Godts mund ta bëjë PSG-në më fleksibël në negociatat për sulmuesin francez dhe të hapë rrugën për kalimin e tij te Liverpooli.
PSG raportohet se tashmë i ka bërë të ditur Liverpoolit se është i gatshëm të negociojë për çmimin e Barcolan, i cili aktualisht vlerësohet në rreth 120 milionë paundë.
Liverpooli ka përforcuar repartin ofensiv këtë verë me transferimin e anësorit të Osasunës, Victor Munoz, por largimi i Mohamed Salah dhe largimi i pritshëm i Cody Gakpos drejt Tottenhamit kanë shtuar nevojën për një tjetër përforcim.
“Reds” thuhet se kanë arritur tashmë marrëveshje personale me Barcolan, ndërsa tashmë mbetet të gjendet një zgjidhje mes dy klubeve për shumën e transferimit.
Nëse PSG e finalizon afrimin e Godts, rruga e Barcolan drejt “Anfield” mund të bëhet dukshëm më e hapur.























