Një muaj paraburgim për F.S., i dyshuar për spiunazh
G.K/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj F.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila llogaritet nga data e arrestimit, 13 gusht 2026, dhe zgjat deri më 13 shtator 2026.
Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale për të cilën zhvillohen hetimet dhe se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Në vlerësimin e Gjykatës janë marrë parasysh rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe rreziku i përsëritjes ose vazhdimit të veprës penale.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale.
Me rastin e marrjes së vendimit, Gjykata ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes dhe rrethanat personale të të pandehurit, por ka ardhur në përfundimin se paraburgimi për periudhën fillestare prej një muaji është masë e domosdoshme dhe proporcionale.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka kërkuar një muaj paraburgim për Fehmi Salin, i dyshuar për veprën penale “Spiunazhi”. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA), duke ofruar informacione për situatën politike në Kosovë dhe për zyrtarë të AKI-së.























