Rekrutët e rinj të FSK-së nisin trajnimin bazë në Ferizaj
M.Sh/RTKLive
Rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nisur sot trajnimin ushtarak bazë në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
Rekrutët janë rreshtuar në kuadër të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, përkatësisht në Qendrën e Stërvitjes Bazë, duke nisur kështu rrugëtimin e tyre për t’u bërë pjesë e FSK-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi bazë do të zgjasë nëntë javë dhe do të zhvillohet përmes një programi të intensifikuar, i cili synon përgatitjen e rekrutëve në aspektin fizik, psikologjik dhe profesional.
Gjatë kësaj periudhe, rekrutët do të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme ushtarake, me qëllim që pas përfundimit të trajnimit të jenë të gatshëm të shërbejnë si ushtarë dhe të rreshtohen në formacionet ushtarake të FSK-së.
Ky trajnim përbën një nga hapat e parë të rekrutëve drejt shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.























