Dy filma kosovarë në garë për “Zemrën e Sarajevës”
B.H./RTKlive
Dy filma kosovarë, “Dua”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me skenar dhe regji të Visar Morinës, do të garojnë për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës” në edicionin e 32-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Filmi “Shame and Money” pati premierën rajonale parmbrëmë, duke hapur programin garues për filmin artistik të gjatë. Ndërsa “Dua” do të shfaqet sonte.
“Shame and Money” – pasiguria ekonomike, paraja dhe turpi
Filmi i regjisorit kosovaro-gjerman Visar Morina trajton ndarjet klasore në Kosovë përmes historisë së një familjeje nga një zonë rurale, e cila zhvendoset në Prishtinë. Në qendër të filmit janë pasiguria ekonomike, kapitalizmi, paraja, krenaria dhe turpi.
Ekipi i filmit mbajti konferencë për media një ditë para premierës në Teatrin Kombëtar të Sarajevës.
Për Morinën, Sarajeva ka një rëndësi të veçantë. Ai e kishte vizituar për herë të parë kryeqytetin boshnjak në vitin 2011, në kuadër të CineLink, ndërsa filmi i tij “Exile” ishte prezantuar në festival në vitin 2022.
“Sarajeva gjithmonë më duket si shtëpia ime. Më kujton shumë Kosovën”, tha Morina.
Regjisori tregoi se realizimi i filmit ishte shumë më i gjatë dhe më i ndërlikuar nga sa kishte parashikuar.
“Ishte e tmerrshme! Doja ta xhiroja filmin shpejt dhe me një buxhet të vogël, në fshatin ku jam rritur dhe në shtëpinë ku jam rritur. Në vend të kësaj, produksioni zgjati rreth pesë vjet”, ka thënë Morina.
Sipas tij, buxheti i kufizuar i Qendrës Kinematografike të Kosovës bëri që filmi të realizohej përmes një bashkëprodhimi ndërkombëtar me pjesëmarrjen e gjashtë shteteve.
Në qendër të filmit janë Hatixhja dhe Albani. Hatixhja, e interpretuar nga Flonja Kodheli, është një grua që pas humbjes së punës dhe shtëpisë duhet të kujdeset për tri vajzat e saj.
Ndërsa Albani, i interpretuar nga Alban Ukaj, paraqitet si një personazh “i pasuruar rishtazi”. Përmes tij, Morina trajton edhe nevojën e individit për të fshehur pasigurinë ekonomike dhe për t’u dëshmuar të tjerëve se nuk është i varfër.
Paraja është një nga motivet kryesore të filmit dhe shfaqet edhe përmes disa simboleve, përfshirë statujën e Bill Clintonit dhe një kartëmonedhë prej 100 dollarësh me portretin e tij.
Duke folur për kontekstin historik, Morina ka kujtuar periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, luftën në Kosovë dhe marrëdhënien e kosovarëve me NATO-n pas luftës.
“Periudha e Millosheviqit ishte shumë e vështirë. Njerëzit vazhdimisht kishin frikë se do të shpërthente lufta. Dhe kur ndodhi, njerëzit ishin jashtëzakonisht mirënjohës ndaj NATO-s”, ka thënë Morina.
Sipas tij, statuja e Clintonit në film është njëkohësisht simbol i historisë dhe i fillimit të një epoke të re.
Morina e lidh paranë edhe me turpin dhe mënyrën se si individët përpiqen ta fshehin pasigurinë ekonomike.
“Nëse paranë e konsiderojmë si ‘gjithçka’, është shumë e lehtë të biem në depresion. Mendoj se turpi është gjithashtu pjesë e kësaj”, është shprehur ai.
“Dua” – adoleshenca në kohën e luftës
Filmi i dytë kosovar në garë, “Dua”, është vepra e dytë e metrazhit të gjatë e regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli, pas suksesit ndërkombëtar të filmit “Koshnica”.
Filmi sjell një histori intime, të frymëzuar nga kujtimet e Bashollit për rritjen e saj në Kosovë gjatë viteve ’90.
Ngjarja zhvillohet në Prishtinën e fundit të viteve ’90. Ndërsa lufta afrohet dhe tensionet etnike rriten, 13-vjeçarja Dua përballet me sfidat e adoleshencës, miqësisë, dashurisë së parë dhe kërkimit të vendit të saj mes bashkëmoshatarëve.
Pas një incidenti në komunitetin ku jeton, Dua bëhet vetë objektiv dhe afrohet me Makin, një vajzë të patrembur që e njeh me një formë të papritur të rezistencës.
Filmi fokusohet te përjetimi njerëzor i luftës nga këndvështrimi i një adoleshenteje, duke treguar se edhe në periudhat më të errëta të historisë, të rinjtë vazhdojnë të kërkojnë miqësi, dashuri, gëzim dhe një ndjenjë normaliteti.
Basholli ka thënë se një nga arsyet që e shtyu ta tregojë historinë nga këndvështrimi i një adoleshenteje ishte pikërisht përvoja e saj personale.
“Gjithmonë më ka magjepsur fakti se edhe në mes të luftës ne përpiqeshim të ishim adoleshentë të zakonshëm. Dëgjonim muzikë, ëndërronim për të ardhmen, dashuroheshim dhe shqetësoheshim nëse përshtateshim me shoqërinë”, tha ajo.
Sipas saj, jeta nuk ndalet vetëm pse fillon një konflikt.
“Edhe në momentet më të errëta kërkojmë momente të vogla gëzimi, lirie dhe lidhjeje”, shtoi ajo.
Regjisorja ka treguar se filmi është i ndërtuar mbi kujtimet e saj nga Prishtina e viteve ’90.
“U rrita në Prishtinë gjatë viteve ’90, në një periudhë kur jeta jonë e përditshme gradualisht po bëhej gjithnjë e më e kufizuar”.
Ajo ka theksuar se nuk kishte synim të rindërtonte historinë në mënyrë kronologjike, por të ruante përjetimin emocional të asaj periudhe.
Për aktoren e re Pinea Matoshi, e cila luan rolin e Duas, Basholli tha se kishte sjellë një ndershmëri dhe intuitë të veçantë në rol.
Regjisorja tregoi se para xhirimeve kishte kaluar shumë kohë duke biseduar me të për moshën, pasiguritë, miqësitë, dashurinë e parë dhe ndjenjën e të mosditurit se ku i përket.
Në film luajnë edhe një numër të rinjsh që nuk janë aktorë profesionistë. Basholli tha se sfida kryesore ishte ruajtja e spontanitetit të tyre dhe krijimi i një ambienti ku ata të ndiheshin të sigurt.
Një tjetër bashkëpunëtore e rëndësishme e Bashollit është aktorja Yllka Gashi, me të cilën ajo ka punuar edhe në projektet e mëparshme.
“Së pari, thjesht e adhuroj të punoj me Yllkën. Është një aktore jashtëzakonisht e talentuar, por edhe një person me të cilin është e mrekullueshme të bashkëpunosh”, ka thënë Basholli.
Ajo ka treguar se këtë herë Gashi ka rishkruar edhe dy nga skenat e saj më të rëndësishme me Duan, duke i bërë ato, sipas regjisores, më të fuqishme dhe më të sinqerta.
Basholli ka vlerësuar gjithashtu ndryshimin në mënyrën se si audienca ndërkombëtare po i qaset filmave nga Kosova dhe rajoni.
Sipas saj, publiku është gjithnjë e më i gatshëm t'i shohë këto filma jo vetëm si dëshmi politike, por si vepra që trajtojnë përvoja universale si dashuria, familja, identiteti, humbja dhe rritja.
“Sa më shumë histori të ndryshme të vijnë nga Kosova, aq më pak publiku do të na përcaktojë vetëm përmes konfliktit”, ka thënë ajo.
Për Bashollin, Festivali i Filmit në Sarajevë ka edhe një rëndësi të veçantë personale. Ajo e kishte prezantuar një film të shkurtër dokumentar në festival në vitin 2006, ndërsa më vonë u rikthye me “Koshnica”.
Ajo tha se Sarajeva për të është më shumë se një festival, duke e cilësuar si një hapësirë ku regjisorët e rajonit kuptohen dhe mbështeten.
“Dua” dhe “Shame and Money” përfaqësojnë Kosovën në garën për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”, në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon.























