Artistët diskutojnë artin dhe kufizimet e shprehjes
Sh.G|RTKlive
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është zhvilluar një bisedë me artistë, në kuadër të ekspozitës “Jo të gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”.
Në diskutim morën pjesë artistët Isa Alimusaj, Hyrije Krypa, Fatmir Krypa, Feriha Rada, Bedri Emra dhe Esat Valla, ndërsa biseda u moderua nga Anyla Kabashi.
Diskutimi u përqendrua në rrethanat shoqërore dhe politike të periudhës në të cilën janë krijuar veprat, si dhe në kufizimet e lirisë së shprehjes dhe ndikimin e tyre në krijimtarinë artistike.
Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua orientimit të artistëve drejt natyrës, peizazhit dhe motiveve të tjera, të cilat shërbyen si forma alternative të shprehjes në një kohë kur shprehja e drejtpërdrejtë artistike ishte e kufizuar.
Aktiviteti synoi të rikthejë në vëmendje përvojat e artistëve dhe mënyrën se si konteksti historik e shoqëror ka ndikuar në zhvillimin e artit në Kosovë.























