Artistët e brezit themelues rikujtojnë rrugëtimin e artit pamor në Kosovë|VIDEO
BKT
Kulturë

Artistët e brezit themelues rikujtojnë rrugëtimin e artit pamor në Kosovë|VIDEO

Arbana Hajredinaj /RTK

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, një grup artistësh vizualë të brezave të parë themeltarë të zhvillimit të artit në Kosovë, u bënë bashkë për t'iu rikthyer përmes kujtesës periudhës së rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë së tyre.

Isa Alimusaj, Hyrije Krypa, Fatmir Krypa, Feriha Rada, Bedri Emra dhe Esat Valla folën për përvojat e tyre si artistë dhe për rrethanat shoqërore e politike në të cilat kanë krijuar.

Biseda u përqendrua veçanërisht në kufizimet që dikur e përcaktonin hapësirën e shprehjes artistike dhe në mënyrën se si artistët gjenin forma alternative për të komunikuar përmes veprave.

Natyra, peizazhi dhe motive të tjera shpesh u shndërruan në hapësira përmes së cilave artistët mund të shprehnin ndjeshmëritë, shqetësimet dhe botën e tyre krijuese.

Përtej veprave, kjo bisedë solli në vëmendje edhe historitë personale të artistëve, sfidat me të cilat janë përballur dhe ndryshimet që kanë shoqëruar artin pamor ndër vite. 

Takimi u zhvillua si pjesë e aktiviteteve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, me synimin që përvojat dhe dëshmitë e artistëve të mbeten pjesë e kujtesës së artit dhe historisë kulturore të Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë