Analistët në RTK Prime flasin për takimin VV-LDK dhe çështjen e presidentit
Shqipe Gashi|RTKlive
Analistët politikë në RTK Prime kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë takimin VV-LDK dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, si dhe mundësinë e gjetjes së një emri konsensual.
Avokati Tomë Gashi, tha se kur i kemi krerët e këtyre dy partive, shumë të fuqishme, besoj që duhet tu besohet.
“Mirëpo prapëseprapë, derisa nuk dalin me emra dhe me mbiemra, kush është kandidati, shpresoj që ta gjejnë një kandidat të përbashkët, atëherë i bie që vetëm janë në kuadër të bisedimeve që nëse nuk ndodh, atëherë krejt këto deklarata shumë miqësore do të shndërrohet paksa më ndryshe dhe do ta fajësojnë njëri-tjetrin. Në kuptimin që nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme, gjë që besoj që askush nuk e do. Për shkak se po dëmtohet shteti dhe tani po dalim shtet jo serioz për shkak se po bëhen më tepër se 1 vit e gjysmë që po shkojmë rend faktikisht, pothuajse që 3-4 muaj apo pak më gjatë në zgjedhje të parakohshme për shkak të pamundësive për ta zgjedhur presidentin. Dhe duhet ta dimë që në Parlamentin e Republikës sonë i kemi 100 deputetë shqiptarë, i kemi 10 të pakicave të cilat janë pakica jo serbe dhe me Listën Serbe e dimë se askush prej tyre nuk do që të bashkëpunojë dhe është çështje e tyre a do të qëndrojnë në Parlamentin e Kosovës kur vjen dita për zgjedhjen e presidentit apo jo, por ideja është që ta zgjedhin shqiptarët presidentin sigurisht” ka thënë Gashi.
Kurse analisti Sadik Zeqiri, vlerësoi se takimi i sotëm mes dy liderëve Kurtit dhe Abdixhikut nuk është shumë i sinqert.
“Është biseduar 3 orë dhe sigurisht që këta nuk kanë qenë të sinqertë pasi kanë kryer takimin me mediat, sepse kanë thënë që nuk kemi biseduar për emra. Sigurisht që aty është folur edhe për emra" tha Zeqiri.
Sipas tij, ata janë takuar për 3 orë me radhë dhe kanë folur për kritere se si do të duket një president. “Për tre orë janë taku për t'u pajtuar për kritere se çka duhet me plotësuar dhe çka s'duhet me plotësuar një kandidat për president”, tha ai.
Ndersa analisti politik, Artan Alijaj, mendon që kjo është hera e parë që pas gjithë këtyre takimeve mes zotit Kurti dhe zotit Abdixhiku, është hera e parë që kemi një deklaratë ku thuhet që janë përafruar qëndrimet se kanë marrë një pajtueshmëri për një sërë elementesh që do të donin të përmbajë një kandidat për president të vendit.
“Nuk jemi të sigurt nëse mund të themi që nëse zoti Abdixhiku thotë diçka, që edhe partia e tij e tëra do ta përkrahë. Kështu që mendoj që këtu çalojmë edhe këtu është pikëpyetja e madhe se çfarë do të ndodhë tash me këto konsultime që u paralajmëruan nga të dy, si nga Kurti ashtu edhe nga Abdixhiku, që ata do të kthehen tash në partitë e tyre dhe do të diskutojnë atë çka ata janë pajtuar deri tash ", ka thënë Alijaj
Ndërkaq analistja Fatime Hajdari thoë se marrëveshja politike do të na ndihmonte që të mos ngecim në një fazë të mëtutjeshme, meqë kjo është faza për zgjedhjen e presidentit.
“A është shpresëdhënës ky takimi i sotëm edhe me pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë e pastaj me zotin Abdixhiku, pa diskutim që është. A e ka të qartë vetë Abdixhiku se sa vota ka brenda LDK-së, mendoj që nuk e ka. Kjo është një nga problematikat më të mëdha dhe mendoj që këtu duhet të insistohet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje që të arrijë edhe të ketë kompromis edhe me Aleancën sot, edhe me deputetë të tjerë të PDK-së të cilët mendojnë ndryshe. Mendojnë që vendi meriton një alternativë dhe të mos maltretohet nga zgjedhjet në zgjedhje”, tha Hajdari.
Sipas saj, nuk përjashtohet fakti që janë të interesuar të marrin këtë mirënjohje të brendshme ditë e pasdite, por mund të themi që brenda Partisë Demokratike të Kosovës të gjenden deputetë të cilët reflektojnë dhe mendojnë në interes të vendit. “Mbesim optimistë që ditët në vijim të kemi deklarime edhe prej individëve që janë brenda subjekteve politike si Aleanca dhe PDK, në lidhje me idenë për një president konsensual", tha Hajdari.






















