Nesër në Prishtinë mbahet protestë kundër vrasjes së grave
G.K/RTKlive
Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë thirrje për protestë nesër, më 25 nëntor, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke kërkuar veprime konkrete dhe përgjegjësi institucionale për parandalimin e vrasjes së grave.
Protesta do të mbahet duke filluar nga ora 12:00, ndërsa organizata ka theksuar se femicidi është urgjencë kombëtare.
“Asnjë grua nuk duhet të humbasë jetën për shkak të dhunës që mund të parandalohej. Nuk mjaftojnë premtimet pas çdo vrasjeje. Nevojiten veprime konkrete dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.
Organizata ka kërkuar njohjen dhe kriminalizimin e femicidit në Kodin Penal, krijimin e mekanizmit “Femicide Watch”, si dhe financim të qëndrueshëm për strehimoret, linjën emergjente 24/7 dhe shërbimet e mbrojtjes.
Po ashtu, ka kërkuar zbatimin e ligjeve dhe protokolleve, si dhe llogaridhënie për çdo mosveprim institucional.
“Më 25 nëntor, bashkohuni me ne në protestë! Dilni në rrugë për jetën, drejtësinë dhe sigurinë e grave. Zëri ynë duhet të dëgjohet dhe kërkesat tona duhet të marrin përgjigje!”, thuhet në thirrjen e organizatës.






















