23 vjet nga vrasja e Tolajt dhe Haklajt, Gërvalla: Kosova ua ka borxh drejtësinë
G.K/RTKlive
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar Sabahate Tolajn dhe Isuf Haklajn, në 23-vjetorin e vrasjes së tyre, duke theksuar se Kosova u ka borxh drejtësinë e plotë.
Gërvalla ka deklaruar se Tolaj dhe Haklaj ishin luftëtarë të lirisë, të cilët pas çlirimit të Kosovës, uniformën e luftëtarit e zëvendësuan me atë të zyrtarit policor.
“Mëngjesin e 24 nëntorit 2003, teksa po shkonin në krye të detyrës zyrtare, u vranë në një pritë të organizuar e të porositur nga armiqtë e Kosovës së lirë”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka bërë të ditur se, së bashku me ministrin Gashani, familjarë, miq dhe kolegë, kanë bërë homazhe te lapidari në Stacionin Policor në Pejë, në vendin e rënies së tyre në Raushiq, si dhe te varret në Pobërgjë dhe Koshare.
“Sabahates e Isufit, KOSOVA, ky shtet e kjo Republikë, nuk ua ka borxh vetëm kujtimin. Ua ka borxh drejtësinë. Ua ka borxh drejtësinë e plotë”, ka theksuar ajo.
Sipas Gërvallës, ekziston përgjegjësia për ta shndërruar idealin e tyre në një Republikë të fortë, demokratike dhe të konsoliduar, ku drejtësia dhe ligji janë themeli i çdo përparimi.
“Lavdi e përjetshme Sabahate Tolajt dhe Isuf Haklajt! U jetësoftë ëndrra e tyre për Kosovën tonë!”, ka përfunduar Gërvalla.






















