Iraola i emocionuar para debutimit në Premier League, synon ta nis me fitore
BKT
Sport

Iraola i emocionuar para debutimit në Premier League, synon ta nis me fitore

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka folur para mediave në prag të ndeshjes së parë të sezonit në Premier League ndaj Newcastle United, e cila do të zhvillohet të dielën në “St. James’ Park”.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e Iraolas në krye të Liverpoolit në kampionat, ndërsa përballë do të ketë Newcastle United, që gjithashtu nis sezonin me trajner të ri, Matthias Jaissle.

Newcastle nuk ka pësuar humbje në katër ndeshjet e fundit të javës së parë të Premier League, ndërsa Liverpooli synon të vazhdojë serinë pozitive, pasi nuk ka humbur në ndeshjen hapëse të kampionatit në 13 sezonet e fundit.

Iraola pranoi se e pret me shumë entuziazëm debutimin e tij në Premier League, duke theksuar se atmosfera gjatë përgatitjeve ka qenë ndryshe nga ajo e ndeshjeve miqësore.

“Jam i emocionuar. E ndiej këtë edhe në atmosferën e stërvitjeve me lojtarët. Këtë javë gjithçka është pak më ndryshe. Jemi përgatitur për ndeshje miqësore, por tani është krejtësisht ndryshe. Mezi pres të jem aty të dielën, ta ndiej presionin dhe të nis një garë që na pëlqen”, tha Iraola.

Trajneri spanjoll zbuloi gjithashtu objektivin e tij për sezonin e ri.

“Dua të jemi një ekip shumë i mirë dhe t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë lojtarët që kemi, në mënyrë që të kemi mundësinë të luftojmë për gjithçka”, u shpreh ai.

Pavarësisht fillimit të sezonit, Liverpooli vazhdon të jetë aktiv në merkato. Në ditët e fundit, klubi është lidhur me dy futbollistë të Paris Saint-Germainit, Ibrahim Mbaye dhe Bradley Barcola.

Iraola nuk e përjashtoi mundësinë e afrimeve të tjera, edhe pse theksoi se për momentin është i përqendruar te përballja me Newcastle.

“Si trajner, do të doja t’i kisha të gjithë lojtarët që në ditën e parë të përgatitjeve, me çdo pozicion të mbuluar dhe me futbollistë të nivelit të lartë. Por e kuptoni se si funksionon konkurrenca dhe merkatoja mbetet e hapur edhe pasi nis sezoni”, deklaroi Iraola.

Ai shtoi se situata e merkatos krijon pasiguri për shumë skuadra, por Liverpooli duhet të jetë i gatshëm të përshtatet.

“Duhet të përshtatemi si trajnerë me këtë situatë, sepse ka shumë pasiguri. Jo vetëm te Liverpooli, por kudo, pasi afati kalimtar është ende e hapur. Sinqerisht, nuk kaloj shumë kohë duke menduar për këto gjëra”, tha ai.

Iraola nënvizoi se skuadra aktuale ka mjaftueshëm cilësi për të qenë konkurruese që nga fillimi.

“Ju i keni parë lojtarët shumë të mirë që kemi aktualisht në skuadër, kështu që mund të jemi konkurrues që nga fillimi”, shtoi trajneri i Liverpoolit.

Një tjetër temë e konferencës ishte Alexander Isak, i cili mund të luajë për herë të parë në Premier League kundër ish-klubit të tij, Newcastle United, që prej largimit të tij për Liverpoolin verën e kaluar.

Iraola e konsideron këtë një ndeshje të veçantë për sulmuesin suedez, duke besuar se ai do të jetë maksimalisht i motivuar.

“Është gjithmonë diçka e veçantë kur luan kundër ish-ekipit tënd në stadiumin e tij. E njëjta gjë ndodh edhe kur unë kthehem për të luajtur kundër Bournemouthit. Gjithmonë dëshiron të bësh mirë në Premier League”, deklaroi Iraola.

“Është ndeshja e parë e sezonit dhe të gjithë do të jenë shumë të motivuar. Mendoj se e njëjta gjë do të vlejë edhe për Alexin”, përfundoi ai.

Përballja Newcastle United–Liverpool do të jetë një nga sfidat më tërheqëse të javës së parë të Premier League, me vëmendjen e madhe te debutimi i Iraolas dhe rikthimi i Isakut në “St. James’ Park”.